Romani “Kasollja e xha Tomit” i publikuar në vitin 1852 zuri menjëherë kreun e shitjeve dhe vuri në pikëpyetje rendin skllavopronar të shteteve të Jugut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Thuhet se në vitin 1862, kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni u njoh me Harriet Beecher Stowe, e përshëndeti me thënien: “Ju qenkeni zonja e vockël që shkroi librin që provokoi këtë luftë të madhe?!”
Epiteti “e vockël” nuk ishte aspak ironi, sepse Stowe nuk i kalonte një metër e gjysëm përballë gjatësisë prej më shumë se 1.90 m të Linkolnit. Ekzagjerohet kur thuhet se “Kasollja e xha Tomit” shkaktoi Luftën Civile (1861-1865) midis Jugut dhe Veriut në Shtetet e Bashkuara, pasojat e së cilës ishin qindra mijëra të vdekur, por s’ka pikë dyshimi që kontribuoi kryesisht në nxitjen e opinionit publik kundër rendit skllavopronar të shteteve jugore…
Ndikimi që pati ky roman në dekadat e mëpasshme si në Shtetet e Bashkuara edhe jashtë tyre, arriti të eklipsojë tekste të tjera antiskllavopronare, përfshirë këtu edhe dëshmitë autobiografike të vetë skllevërve. Ky libër i njohu të gjitha botimet, të ligjshme dhe pirate, me edhe pa ilustrime, u përkthye në mbi 60 gjuhë, pati versione të shkurtra, përshtatje për fëmijë si dhe versione teatrore, por jo të gjitha besnike ndaj mesazhit.