Ronaldo i lumtur në Arabinë Saudite, fton top-lojtarët e tjerë t’i bashkohen

Prishtinë | 02 Qer 2023 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Cristiano Ronaldo pranon se nuk priste ta përfundonte edicionin duarbosh te skuadra Al-Nassr, por sulmuesi portugez thotë se është i lumtur në Arabinë Saudite dhe shpreson se lojtarë të tjerë të famshëm nga Evropa do ta përcjellin atë duke iu bashkuar në ligë për edicionin e ardhshëm. Ronaldo nënshkroi kontratë për dy vjet e gjysmë në fillim të këtij viti, që vlerësohet nga mediat se vlen më shumë se 400 milionë euro me Al Nassr, ekip për të cilin debutoi në muajin janar. 38-vjeçari shënoi 14 gola në 16 ndeshje, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndihmuar skuadrën e tij të fitonte titullin e kampionit në Ligën Pro Saudite (SPL), pasi Al-Nassr përfundoi i dyti pas Al-Ittihadit, që u shpall kampion. Ronaldo i mungoi ekipit të tij në ndeshjen e fundit të edicionit për shkak të lëndimit, por insistoi se liga ishte e fortë dhe shtoi se ka mundësi për t’u zhvilluar edhe më shumë. Ai beson se edicionin tjetër, një numër i konsiderueshëm i top-lojtarëve të Evropës do të zbarkojnë në Arabinë Saudite.

“Këtu në ligën e Arabisë Saudite ka ekipe shumë të mira, me lojtarë të mirë dhe cilësorë arabë. Gjithashtu, edhe infrastruktura është e jashtëzakonshme. Kështu që, atyre u duhet edhe pak të përmirësohen për të arritur nivelin e Evropës. Sidomos gjyqtarët dhe sistemi VAR duhet të jenë pak më të shpejtë”, tha Ronaldo në një intervistë të premten. “Por, unë jam shumë i lumtur këtu dhe sigurisht që do të vazhdoj të luaj në këtë ligë. Pra, do të jem pjesë e ekipit Al-Nassr, me të cilin kam ende kontratë”.

Ronaldo tha se nuk pati as problemin më të vogël të përshtatej me jetën në Arabinë Saudite dhe në klubin e tij, megjithëse pranoi se kishte shumë dallime nga koha e tij që e kaloi në Evropë, ku ai luajti me mjaft sukses për ekipet e mëdha si Manchester United, Juventus dhe Real Madrid. Në Evropë, portugezi ka fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh, ndërsa periudhën më të lavdishme të karrierës e përjetoi me fanellën e Real Madridit, ekip për të cilin luajti prej vitit 2009 deri në vitin 2012. Ai gjithashtu ka qenë edhe pjesë e Benficas, pasi te kjo skuadër portugeze mori hapat e parë.

“Në Evropë ne stërvitemi më shumë në mëngjes, ndërsa këtu në Arabinë Saudite stërvitemi pasdite ose natën. Kur fillon Ramazani, ne stërvitemi në orën 22:00 që në fillim ishte paksa e çuditshme, por pastaj u adaptova shumë mirë”, ka thënë Ronaldo. “Jam përshtatur menjëherë dhe nuk mund të ankohem për asgjë, pasi të gjithë më kanë mirëpritur në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Që nga transferimi i Ronaldos në Lindjen e Mesme, disa lojtarë të tjerë të mëdhenj që po bëjnë karrierë janë të lidhur kohët e fundit me një lëvizje eventuale gjatë kësaj vere në Arabinë Saudite. Madje, vazhdimisht raportohet se Lionel Messi sipas të gjitha gjasave do t’i bashkohet skuadrës Al-Hilal, e cila ka kohë që i ka bërë ofertë zyrtare. Transferimi i Messit në ligën saudite do të ringjallte rivalitetin e madh me Ronaldon. Po ashtu, edhe ish-bashkëlojtarët e Ronaldos te Real Madridi, sulmuesi Karim Benzema e mesfushori Luka Modriq po përflitet se mund t’i bashkohet kampionit të Arabisë Saudite, Al-Ittihadit. Benzema edhe pse deklaroi se nuk do të largohet nga Reali këtë verë, mediumet insistojnë të shkruajnë se ai tashmë është tunduar nga oferta prej 200 milionë eurosh e klubit saudit. E një ofertë të ngjashme ka marrë edhe Modriqi, i cili ende nuk ka pranuar rinovimin e kontratës që i skadon në fund të këtij muaji me Realin.

“Nëse ata vijnë, do të ishte madhështore. Në fakt, unë pres që lojtarë të mëdhenj dhe emra të mëdhenj, lojtarë të rinj, ‘lojtarë të vjetër’, të më bashkohen për edicionin e ri në Arabinë Saudite. Të gjithë ata do të jenë të mirëseardhur pasi do ta ndihmonin ligën të bënte popullaritet edhe më të madh”, shtoi Ronaldo. “Nëse kjo ndodh, atëherë edicioni i ri do të jetë shumë i fortë. Mosha nuk ka këtu rëndësi”.

Të ngjashme