Cristiano Ronaldo beson se gjiganti i Serisë A, Juventusi, do ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve së shpejti, duke insistuar se ky trofe “po vjen”.
Pas tetë sukseseve radhazi në Serie A, Juventusi e ka synim lavdinë në Evropë. Bardhezinjtë i kanë grumbulluar pesë medalje të argjendta që nga triumfi i tyre i fundit në Ligën e Kampionëve, në vitin 1996.
Së fundi, Juventusi pësoi disfatë ndaj Barcelonës në finalen e vitit 2015, si dhe ndaj Real Madridit të Ronaldos në vitin 2017. Portugezi i kishte shënuar dy gola në atë finale.
Ronaldo – i cili i fitoi katër nga pesë titujt e tij të Ligës së Kampionëve me Real Madridin – nuk arriti ta dërgojë Juventusin përtej fazës çerekfinale në sezonin e tij të parë me klubin italian.
“Zonja e Vjetër” pësoi disfatë kundër Ajaxit në çerekfinale, pasi klubi holandez e kishte eliminuar ish-klubin e Ronaldos, Real Madridin, në fazën paraprake – 1/8 e finales.
Megjithatë, përderisa e ka pranuar se ai nuk është i sigurt nëse një triumf në këtë garë do të vijë këtë vit, Ronaldo beson se Juventusi i drejtuar nga Maurizio Sarri e ka të sigurt këtë trofe herët apo vonë.
“Pasi fitova çfarë fitova në Madrid, unë pata nevojë për një ndryshim dhe një motivim të ri. Unë ende e kam fuqinë të vazhdoj të fitoj. Juventusi do ta fitojë Ligën e Kampionëve. Nuk e di nëse kjo do të jetë këtë vit ose tjetrin, por trofeu po vjen”, tha Ronaldo për Marcan.
Sulmuesi 34-vjeçar u transferua nga Real Madridi në Juventus gjatë verës së kaluar, ndërsa në sezonin e tij debutues i ndihmoi gjigantit italian të shpallet kampion i Serisë A për të tetën herë radhazi.
Veterani i shënoi 28 gola në të gjitha garat sezonin e kaluar. 21 prej këtyre golave ishin në kuadër të ligës italiane.
Juventusi do ta hapë sezonin e ri të Serisë A me ndeshjen e 25 gushtit kundër Parmas, ndërsa me Napolin, ish-klubin e trajnerit Sarri, do të përballet qysh në xhiron e dytë të sezonit.