Ronaldo këshillon lojtarët e Man Cityt se si ta tejkalojnë krizën e madhe të rezultateve

Prishtinë | 28 Dhj 2024 | 22:00 | Nga Ekonomia Online

Cristiano Ronaldo ka këshilluar lojtarët e Manchester Cityt, teksa i ka dhënë mbështetje edhe Pep Guardiolës për ta tejkaluar krizën e madhe të rezultateve që ka kapluar ata.

Ronaldo i cili ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve gjatë karrierës së tij, u nderua në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga Globe Soccer Awards në Dubai, duke u shpallur lojtari më i mirë i vitit në Lindjen e Mesme dhe një çmim si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave.

Duke folur pasi pranoi këto çmime, Ronaldo i doli në mbështetje ekipit të Guardiolës pas rënies në formë së fundmi, teksa në të njëjtën kohë nuk la pa përmendur fuqinë e Real Madridit në garat evropiane.

“Skuadrat gjithmonë kanë momentet e tyre të mira dhe të këqija. Tani, Manchester City po kalon në një moment të keq, por ata do të rikthehen”.

“Do t’i thosha lojtarëve të Cityt se ata duhet të japin më shumë nga vetja dhe të mos flasin tani. Lojtarët e mëdhenj e dinë se ku qëndron problemi”, ka thënë Ronaldo.

Ky koment i Ronaldos vjen në një moment mjaft kritik për Manchester Cityn, të cilët po mundohen ta gjejnë sërish ritmin.

Lëndimet e shumta kanë bërë që paraqitjet e tyre të jenë nën standardin që kërkohet, por të besuarit e Guardiolës do synojnë rikthimin tek rezultatet pozitive të dielën, kur do të ballafaqohen me Leicester Cityn.

‘Dhelprat’ të cilët momentalisht gjenden në pjesën e poshtme të tabelës, mund t’i ofrojnë ‘Qytetarëve’ një mundësi për të rindërtuar besimin dhe për të gjetur rrugën tek fitoret.

Të ngjashme