Cristiano Ronaldo do të mundohet që me Kombëtaren e Portugalisë të triumfojë në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, por pasi ai ka humbur vendin e titullarit dhe nuk po ka shumë minuta te Manchester Unitedi, nuk do të jetë një nga 32 yjet që do të nderohen gjatë turneut.
Organizatorët e Botërorit janë në procesin e veshjes së rrokaqiejve të shumtë në qendër të Dohas me imazhet 75 metra të disa prej lojtarëve që pritet të bëjnë përshtypje për ekipet e tyre kombëtare në nëntor dhe dhjetor, transmeton Gazeta Express.
Por, burimet thanë për “ESPN” se Ronaldo, golashënuesi më i mirë ndërkombëtar i të gjitha kohërave me 117 gola, nuk është pjesë e planeve për të pasur imazhin e tij duke zbukuruar një rrokaqiell të Dohas, me Portugalinë që pritet të përfaqësohet nga një futbollist tjetër – por që ende nuk dihet se cili do të jetë.
Negociatat po vazhdojnë ende me përfaqësuesit dhe Federatat mbi të drejtat e imazhit të disa lojtarëve, burimet thanë se Neymar pritet të jetë fytyra e Brazilit në qendër të Dohas. Anglia do të përfaqësohet nga Harry Kane, Uruguai nga Luis Suarez, Kroacia nga Luka Modric, Senegali nga Sadio Mane, Kanada nga Alfonso Davies, dhe fytyra e nikoqirëve të Botërorit, Katarit, do të jetë kapiteni, Hassan Al-Haidos.
Ronaldo mund të mos jetë i vetmi emër superyll që humbet nderin për t’u zgjedhur për një poster. Atij mund t’i bashkohet edhe Lionel Messi, pasi që Argjentina ende nuk ka vendosur se nga cili futbollist do të përfaqësohet.