Cristiano Ronaldo do të mungojë në ceremoninë e ndarjes së Topit të Artë 2021 sonte në Paris, sipas mediave të shumta botërore.
Sulmuesi i Manchester Unitedit Ronaldo nuk do të udhëtojë drejt Francës për gala mbrëmjen e çmimit më prestigjioz individual në futboll, të cilin vetë e ka fituar pesë herë, raporton Gazeta Express.
Ronaldo e ka bërë synim personal të fitojë më shumë Topa të Artë se rivali i vet i përbetuar, Lionel Messi, dhe duke qenë se Messi pritet ta fitojë të atë për herë të shtatë, portugezi nuk dëshiron të jetë i pranishëm në sallë për të qenë dëshmitar i suksesit të paparë të argjentinasit.
Topi i Artë ndahet nga revista franceze France Football dhe redaktori i saj, Pascal Ferre, ka theksuar se Ronaldo i kishte thënë atij se ky çmim individual ka domethënie më të madhe për të se trofetë ekiporë në këtë kohë.
“Ronaldo e ka vetëm një synim dhe ai është të pensionohet me më shumë Topa të Artë sesa Messi”, tha Ferre për New York Times. “E di sepse ai më ka treguar mua”, shtoi ai.
Ronaldo është i nominuar për Topin e Artë 2021, por ai nuk pritet të jetë as në top treshe.
36-vjeçari e fitoi Topin e Artë për herë të parë në vitin 2008 dhe për herë të pestë në vitin 2017. Ai ka qenë i nominuar 12 herë, që është rekord.
Ronaldo ka qenë në top treshe të Topit të Artë çdo vit nga viti 2011.