Roza Mojsovska, krijon vepra arti me furçë në gojë

Prishtinë | 30 Pri 2017 | 14:12 | Nga

Invaliditeti trupor me të cilin jeton që nga lindja nuk paraqet asnjë lloj problemi që Roza Mojsovska të krijojë vepra artistike duke e vendosur furçën në gojë. Ajo është e vetmja maqedonase e cila krijon vepra arti në këtë mënyrë të pazakontë.

Ajo thotë se për herë të parë talentin e saj e zbuloi kur ishte shtatë vjeç, përderisa ka qenë në shërim në një spital të Beogradit.

“Kur isha shtatë vjeç atëherë të gjithë fëmijët vizatonin lule për urime për shkak se ishte festa e gruas 8 marsi. Atëherë edhe unë doja të vizatoj, e mora lapsin dhe me gojë vizatova lule. Ky ishte vizatimi i parë. Atëherë mësuesit panë se shumë mirë mund të vizatoj dhe që nga ajo kohë e zbulova talentim tim për të vizatuar”, thotë Roza Mojsovska për Anadolu Agency (AA).

Më tej Mojsovska në rrëfimin e saj tregon se vite me radhë është turpëruar të flasë në opinion për dhuntinë e saj duke u frikuar se si do të pranohet nga opinioni dhe rrethi më i afërt.

Roza e cila tani jeton në Qendrën për mbrojtje dhe rehabilitim ‘Banja Bansko’ në Strumicë thotë se seriozisht ka filluar të merret me këtë profesion në vitin 1996, gjegjësisht kur ka patur 23 vjeç.

“Atëkohë e gjeta profesionin se unë di të vizatoj. Kështu filluan edhe ekspozitat e mia. Deri më tani kam 27 ekspozita të pavarura ndërsa grupore rreth 40 ekspozita. Kam marrë pjesë në Slloveni, Itali, Bullgari, Serbi, Zvicër dhe në Maqedoni. Kryesisht vizatoj lule, por vizatoj edhe natyrë, portrete dhe të tjera. Në Maqedoni jam e vetmja e cila vizaton me gojë ndërsa në Serbi ka dy”, thotë Roza Mojsovska.

Ajo është anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Artistëve të cilët vizatojnë me gojë dhe këmbë me seli në Lihtenshtajn. Tashmë disa vite është anëtare e kësaj organizate botërore.

“Tani jam stipendiste në këtë shoqatë e cila ndodhet në Lihtenshtajn. Atje dërgoj vepra të mia dhe ata më shpërblejnë dhe më japin të blej artikuj për punë që të mund të paguaj mentor, të përmirësohen dhe të bëhem artiste profesionale”, tha Mojsovska.

Dëshira e saj është që një ditë të bëhet artiste profesionale dhe të vazhdojë me ekspozimin e veprave të saj në ekspozita të pavarura në vend dhe jashtë.

Vizatimi i saj siç tregoi ndodhet tek ish Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon si dhe tek disa nga politikanët maqedonas.

Kjo vajzë në Banja Bansko në Strumicë jeton nga viti 1978, ndërsa pos asaj që është artiste e shkëlqyer, kohën e lirë e shfrytëzon për të shkruar poezi dhe deri më tani ka botuar pesë përmbledhje me poezi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme