Dy persona janë arrestuar të shtunën në Ranillug për shkak të një konfrontimi fizik mes tyre, ku njëri prej të dyshuarve është zyrtar policor, raporton Ekonomia Online.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit, kur njësitet policore kanë marrë informacion se dy individë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë drejtuar për ndihmë mjekësore në spital.
Në vendin e ngjarjes, autoritetet kanë zbuluar se dy të dyshuarit, njëri prej të cilëve është pjesëtar i Policisë së Kosovës, kanë pësuar lëndime gjatë rrahjes mes tyre.
Pas marrjes së tretmanit mjekësor, të dy ata janë intervistuar nga organet e rendit dhe janë dërguar në mbajtje për hetime të mëtejshme, me vendim të prokurorit.
Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili ka njoftuar se ndaj të dyshuarve është parashtruar kallëzim penal dhe atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.