Rrahman Jasharaj i reagon ashpër ministrit Murati

Prishtinë | 29 Gus 2022 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë, tash e tre ditë SBASHK-u ka hyrë në grevë të përgjithshme.

Ani pse të enjten fëmijët në Kosovë kanë pritur se do të nisin shkollimin e tyre, kjo nuk pritet të ndodhë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva nuk pritet të ndalet deri në realizimin e kërkesave të sindikatave.

Ai thotë se humbja e orëve të mësimit për nxënësit duhet të jetë dhimbje për Qeverinë jo për sindikatat.

“Greva do të vazhdoj edhe me 1 shtator e më tej se është shpallur me 25 gusht dhe greva do të mbyllet vetëm atëherë kur realizohen kërkesat jo vetëm të SBASHK-ut por edhe federatave të tjera që janë pjesë e BSPK-së. Ne e dimë që fëmijët do të humbasin por që 10 muaj rresht jemi angazhuar që të bëjmë zgjidhje por Qeveria nuk e ka bërë asnjë hap dhe kjo duhet ta ketë dhimbjen tek nxënësit sepse ne e kemi bërë të pamundurën e mundësia është tani te kjo Qeveria por kjo mundësi është që të ulët dhe të bisedoj me sindikatat për kërkesat e tyre, dhe nëse ata kanë dhimbje për nxënësit le ta dëshmojnë duke u ulur me ne dhe duke na ofruar zgjidhje”, tha ai për Front Online.

Sipas Jasharajt, nuk ka mbetur asnjë shpresë nga Qeveria për realizmin e kërkesave të tyre.

I pari i SBASHK-ut njoftoi se greva është duke shkuar mirë dhe tregoi se kanë vizituar disa qytete për të parë situatën nga afër.“As një fije shprese nuk e kemi që do të ketë ndonjë marrëveshje ose ndonjë takim nga Qeveria me sindikatat. Greva po shkon mirë, sot e kemi vizituar Vitinë dhe jemi në Gjilan, kemi vizituar edhe punëtoret e administratës në komunën e Vitisë ku kemi parë një unitet dhe greva është në nivelin më të lartë të organizimit dhe kështu do të vazhdoj deri sa të kemi një zgjedhje nga Qeveria dhe uroj që të bëhet sa më shpejt”, u shpreh Jasharaj .

Miratimi i Ligjit për paga, zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale janë disa nga kërkesat e sindikatave.

Të ngjashme