Rrahman Jasharaj kujton kontributin e mësimdhënsve gjatë viteve të luftës dhe okupimit serb

Prishtinë | 12 Qer 2024 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka vlerësuar lart kontributin e mësimdhënësve gjatë kohës së okupimit serb.

Në një shkrim të tij, Jasharaj shprehet se mësuesi ka mbajtur gjallë shpresën për liri në vitet e 90-ta dhe ka shpërndarë frymën atdhetare te nxënësit.


“Duke festuar 25 vjetorin e lirisë së Kosovës njeriu kthen kujtesën nëpër shekuj, dekada e vite dhe lartëson kujtimin për gjithë ata që bënë angazhime sublime për lirinë e Kosovës. Nëpër këto ngjarje e angazhime mësuesi është aty. Mësuesi mbajti gjallë shpresën për liri në vitet e 90-ta duke bërë dritë kundër errësirës e duke shpërndarë frymën atdhetare te nxënësit. Mësuesit krenohen sot e gjithmonë edhe me nxënësit e tyre që iu përgjigjen thirrjes së atdheut dhe me emblemën e UÇK-së zhvilluan beteja të lavdishme duke larguar retë e zeza e duke i hapur rrugë rrezeve të lirisë. Krenohen me veprat e dëshmorëve të rënë për të mos vdekur kurrë dhe të heronjve të gjallë. Mësuesit për jetë e mot u janë mirënjohës edhe miqve ndërkombëtarë që ndihmuan realizimin e ëndrrës sublime të popullit tonë për liri”, tha ai.

Më tej kryetari i SBASHK-ut u ka bërë thirrje punëtorëve të arsimit që të kryejnë obligimin në klasë me nxënësit dhe të mos harrohen sakrificat e atyre që u angazhuan për lirinë e vendit.

“Punëtorë të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete urime 25 vitet e lirisë së Kosovës . Ta kryejmë obligimin në klasë me nxënësit e kudo jemi që të mos harrohen sakrificat e atyre që u angazhuan me pendë dhe atyre me pushkë përlirinë e atdheut”, u shpreh Jasharaj.

Të ngjashme