Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë ka pritur sot në takim kryetarin dhe Kryesinë e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës me të cilët është biseduar për të gjitha kërkesat që FSSHK i ka prezantuar këtyre ditëve në opinion.
Në këtë takim ku ka marrë pjesë edhe drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, është diskutuar në mënyrë të detajuar për të gjitha çështjet e ngritura si Ligjin mbi pagat; rritjen e pagave; rrezikshmërinë në vendin e punës; statutin e QKMF-ve; përqindjen e premiumeve për sigurimin e obliguar shëndetësor; ri-licencimin e punëtorëve shëndetësor dhe kushtet e punës në sektorin e shëndetësisë.
Pas diskutimeve të hapura dhe konkrete është vlerësuar se shumica e kërkesave të diskutuara janë pjesë e dialogut të përbashkët social në mes Ministrisë dhe FSSHK, që janë pajtuar të punojnë përmes grupeve të përbashkëta, derisa për çështjen që lidhet me Ligjin e pagave dhe ngritjen e tyre, Ministri Rrahmani, është zotuar se këto çështje do të adresohen tek Kryeministri i vendit dhe ministritë përkatëse të Qeverisë, për të diskutuar me këto nivele, me që janë jashtë kompetencave vendimmarrëse të Ministrisë.
Duke vlerësuar se ka mirëkuptim të dyanshëm për zgjidhjen e shumicës së çështjeve të adresuara, Ministria e Shëndetësisë konsideron se nuk ka arsye për protestë, me që dialogu dhe angazhimi i përbashkët është rruga më e mirë për adresimin e problemeve dhe nevojave në sistemin shëndetësor dhe zgjidhjen e tyre në favor të punonjësve shëndetësor.