Sulmuesi Albion Rrahmani ka zënë vend në ekipin më të mirë të xhiros së shtatë në kampionatin e Rumanisë. Ndonëse zëvendësues, Rrahmani shënoi dy gola në fitoren e Rapidit të Bukureshtit, fundjavën e kaluar. Për Rrahmanin ishte ndeshje debutuese.
Liga Profesionale e Rumanisë të martën ka publikuar ekipin më të mirë të xhiros së shtatë. Pjesë e tij është Rrahmani, që u shpall lojtar i ndeshjes nga tifozët e Rapidit.
“I prezantuar në fillim të pjesës së dytë, Rrahmani kishte debutim ëndrrash. Dy gola dhe shumë aksione tjera në sulm e dërguan atë drejt në zemrat e tifozëve pasionantë të Rapidit”, ka shkruar “lpf.ro”.
Trajneri më i mirë i xhiros u shpall Cristano Bergodi i Rapidit.