Rrecaj: Ftesa për intervistimin e Thaçit nga Prokuroria Speciale, për sqarimin e aktakuzës së dorëzuar

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, të hënën pritet të udhëtojë në Hagë, për tu intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Lidhur me këtë, ka folur për klankosova.tv avokati i njohur Tahir Rrecaj, i cili ka thënë se arsyeja e ftesës mund të jetë sqarimi i çështjes së aktakuzës nga Prokuroria.

”Njëra nga arsyet është se mund të ketë qenë kërkesë e gjyqtarit të procedurës paraprake”.

”Arsyeja që është ftuar mund të jetë që gjyqtari i procedurës paraprake gjatë vlerësimit që ka bërë, e ka parë që është e nevojshme një sqarim i një çështje të rëndësishme për vërtetimin e një aktakuze apo hedhjen e saj”, është shprehur ai.

Sipas tij kjo është e drejtë e gjyqtarit të kësaj procedure.

”Gjyqtari i procedurës mund të kërkojë nga prokurori që të rishikojë aktakuzën, rishikojë hetimin e veprimeve të personit potencial të dyshuar. Ka të drejtë të bëjë edhe ndryshim”.

”Mund të kërkojë zvogëlimin e kuadratit të pikave të aktakuzës nëse vlerëson se janë të tepërta”.

Avokati Rrecaj potencon se këto sqarime nevojiten rreth vendimit për aktakuzën.

”Këto veprime gjyqtari i procedurës i merr para ngritjes së aktakuzës. Ato sqarime të hollësishme – analiza, i nevojiten për me marrë vendim të drejtë të aktakuzës”.

”Por a ka prova të mjaftueshme apo jo, këto janë çështje që gjyqtari e ka autoritetin të kërkojë sqarime”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha dje njoftimin se është ftuar nga Prokuroria Speciale dhe se të hënën do të udhëtojë për në Hagë për tu intervistuar.

”Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”, u shpreh Presidenti Hashim Thaçi.

Të ngjashme