Ramadan Nishori rrëfeu në mënyrë publike përjetimin e dhunimit seksual nga policët serbë gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, raporton Ekonomia Online.
Në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së Fundit në Kosovë, organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës-QKRMT, Ramadan Nishori tha se nuk kërkon mëshirë, por respekt si një njeri.
Ai dëshmoi për torturat në burgjet e Prishtinës, Lipjanit dhe Dobraçës.
“Jam një burrë. Po mundohen të bëjë një jetë normale, kam bashkëshorten dhe tre fëmijë që janë gjithçka për mua. Dua të më shohin si një njeri që kam kaluar shumë gjëra dhe nuk jam thyer kurrë. Nuk dua të më shohin me keqardhje për torturën që kam përjetuar. Dua të më shohin me respekt që të me shohin si një njeri që ka kaluar shumë, jam rrëzuar dhe prapë jam ngritur. Jam këtu jo që kam harruar atë që kam përjetuar. Atë fund shtatori ‘98 nuk do ta harroj kurrë. Isha 21 vjeçar , u patëm larguar nga shtëpia dhe patëm shkuar tek dajët. Më 26 shtator një ofensivë na detyroi që të largohemi. Duke na zbritur nga kamionët na shanin, na fyenin dhe na rrihnin. Na pyetnin për UÇK-në. Pas pak kanë filluar ta bëjnë testin e parafinës, duke pritur në korridor, duke lëviz policia na kanë rrahur. Kanë ardhur dy policë, më kanë ngre zvarrë dhe më kanë futur në një banjo dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodh një njeriu. Njëri më dhunoi, duke u përgatitur i dyti. Nga bërtimat e mia një shqiptar më nxori nga aty. Më kanë marrë në pyetje ata policët civilë, filluan të më kërcënojnë që mos me tregojë se çka më ka ndodhur. Ai shqiptari më përcolli deri tek dera dhe u ulën në garazhin e stacionit. Të nesërmen e kanë bërë një listë, na hypën në autobus dhe na sollën në burgun e Prishtinës. Kam qëndruar tre muaj e gjysmë, prej atij burgu me kanë transferuar në burgun e Lipjanit edhe aty kam pasur maltretime që nuk mund ta merr mendja e njeriut. Gjatë kohës së bombardimeve kanë ardhur gardianë dhe na kanë thënë se kush ka dhënë gjak do t’u japim më shumë bukë, por nuk na dhanë a një thërmi bukë. Në burgun e Dubravës e përjetova masakrën e tmerrshme. Për mua atë kohë vdekja ishte paqe”, tha Ramadan Nishori.