Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për vrasjen e 16-vjeçarit në Prishtinë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. Të arrestuarit, një mashkull dhe një femër, që të dy të mitur, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Auloni ishte gjetur i vrarë paraditen e së shtunës në afërsi të Shkollës Model, në një rrugicë të ngushtë që të shpie te deponia ilegale e mbeturinave në lagjen “Arbëria”. Motivet e vrasjes thonë se nuk i dinë as familjarët e as policia, shkruan sot Koha Ditore.
Axha i Aulonit, Misimi, është shprehur i habitur për vrasjen e nipit, duke thënë se Auloni asnjëherë nuk ka pasur probleme dhe se e gjithë lagjja dhe shokët e tij e kanë cilësuar si djalë të qetë.
“Auloni, sipas vëllait, të premten rreth orës 21:00 ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Të nesërmen na kanë njoftuar që e kanë gjetur të vrarë në afërsi të Shkollës Model. As ne nuk kemi informacione, jemi në pritje të policisë”, ka pohuar Zeka.
Ai tha se familja nuk ka njohuri se kush mund të jetë dorasi, pasi nuk ka informata të ketë pasur probleme më herët.
“Me sa e dimë na ai nuk ka pasur probleme, por edhe mund të ketë pasur, por ne nuk kemi informata. Ndoshta shoqëria e keqe. Nuk po dimë as na ma shumë, nuk po di çfarë të them”, ka pohuar Zeka.
Auloni ka katër vjet që e ka lënë shkollën shkaku i problemeve shëndetësore dhe ndërhyrjeve kirurgjike. Ai vuante nga problemet me boshtin kurrizor dhe katër vjet më parë kishte pasur disa ndërhyrje kirurgjike në Turqi.
“Auloni nuk ka qenë në shkollë, sepse ka qenë i sëmurë, e pas operacioneve nuk ka vijuar më shkollën”, ka treguar axha i tij, Misimi.
Para se t’i dorëzohej trupi i pajetë familjes, ai është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Obduksioni i trupit të pajetë të 16-vjeçarit ka përfunduar. Trupi i pajetë i tij u është dorëzuar familjarëve për procedurat e varrimit”, ka thënë drejtori i IML-së, Arsim Gërxhaliu.
Katër vjet më parë familja e Aulonit kishte kërkuar edhe ndihmë publike. Në një postim në “Facebook” në faqen “Kontribuo edhe ti”, ata kishin kërkuar mjete për operimin e Aulonit.