Mjeku nga Malisheva, Ramadan Sopaj, po akuzohet për ngacmim seksual të një 15-vjeçareje. Ai, sipas deklaratave të vajzës së mitur, të enjten që e lamë pas e kishte prekur atë në vende intime. Ngjarja, sipas vajzës, kishte ndodhur kur ajo kishte shkuar për një kontroll, ngase kishte pasur dhembje barku. Rastin familja e 15-vjeçares e ka paraqitur në polici. Mjeku është arrestuar si dhe është suspenduar nga puna për gjashtë muaj nga ana e QKMF’së “Shpëtim Robaj” në Malishevë. Express ju sjell rrëfimin e familjes së 15-vjeçares
Kishte pasur disa dhembje barku. 15-vjeçarja nga një fshat i komunës së Malishevës (emër i njohur për redaksinë), e vetme nga shtëpia gjatë ditës së enjte që e lamë pas, kishte marrë rrugë për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, për t’iu nënshtruar një kontrolli mjekësor.
Ajo në QKMF’në, “Shpetim Robaj” të Malishevës u prit nga mjeku familjar Ramadan Sopaj. Gjatë kontrollit mjekësor ia kishte shpjeguar dhembjet në bark që i kishte pasur.
Por, sipas saj, mjeku Sopaj e kishte ngacmuar atë seksualisht, duke e prekur në vende intime.
Gazeta Express ka qëndruar në familjen e 15-vjeçares. Ata kanë shpjeguar rreth asaj se si ka ndodhur rasti.
“Ka shku çika te mjeku, ka hy, qashtu qysh hyjnë krejt pacientët. Mjeku e ka pyet se ku po i dhembë. Çika i ka tregu se ku po i dhëmbë. Ai doktori ka nisë me e zbulua lartë vajzën, e duke e prekë lartë e tu e puthë qysh ka dashtë”, tregon nëna e vajzës, e cila po e akuzon mjekun Ramadan Sopaj për ngacmim seksual.
Nga familja e viktimës thonë se mjeku Sopaj nuk është ndalur me aq, por vajzën e ka prekur edhe në pjesët intime. Këtë gjë, thonë ata, e kanë vërtetuar edhe kontrollet gjinekologjike të bëra në QKUK.
“Ai i ka thënë vajzës, zhvishu më poshtë, vajza i ka thanë po këtej nuk po më dhemb dhe ka dashtë me u çu. Ai ia ka vu çikës duart dhe i ka thanë ‘unë jam mjek, nuk bën me u çu’. Edhe ia ka nisë me e zhveshë vajzën poshtë dhe ka nisë me e prekë. Çika ka bërtitur. Aty dikush e ka çelë derën, por ai i paska thanë atij personi mbylle derën se jam me pacient. Çika ka bërtitur edhe tu qajtë ka dalë prej aty. E ka taku në rrugë një vajzë që s’po e njohim, prej telefonit të saj, vajza më ka thirrë mu. Vajzën policia e kanë çu në gjinekologji në QKUK. aty mjekët e kanë kontrolluar edhe shihen shenjat që ai e ka grithë vajzën”, e ka shpjeguar tërë rastin nëna e vajzës 15-vjeçare.
Rastin kjo familje nga një fshat i Malishevës e ka paraqitur në Polici. Të nesërmen, policia rajonale në rajonin e Gjakovës, ka shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë dhe e ka arrestuar doktorin Ramadan Sopaj.
Lidhur me ngjarjen për Gazetën Express nga Policia e Gjakovës është prononcuar zëdhënësja Lirije Podrimaj, e cila ka deklaruar se rasti po cilësohet si “ngacmim seksual”.
“Të nderuar, Me datë 29.11.2018 në ora 08;15 në stacionin policor të Malishevës viktima femër e mitur së bashku me prindin e saj ka raportuar rastin “Ngacmim seksual” që i kishte ndodhur në QKMF- Malishevë. I dyshuar në këtë rast është një mjek i kësaj qendre, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është arrestuar nga policia dhe i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e policisë së Gjakovës për këtë rast.
Zyrtarët e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Malishevë kanë njoftuar se doktori i denoncuar Ramadan Sopaj është suspenduar nga puna.
Për këtë çështje, për Gazetën Express, të martën ka folur drejtori i kësaj QKMF’je, Nuhi Morina.
“Ditën kur është arrestuar doktori Ramadan Sopa unë nuk kam qenë në QKMF. Më kanë thirrur nga policia dhe më kanë treguar se po e arrestojnë. Pas arrestimit të tij, ne e kemi suspenduar mjekun Sopaj nga pozita e punës për gjashtë muaj si dhe me 50% të pagës”, ka deklaruar për Express drejtori i Morina.
Ai ka thënë se Sopaj detyrën e tij si mjek për vite e ka kryer me shumë përgjegjësi.
“Si mjek, Sopaj ka qenë pa asnjë vërejtje. Këtu tek ne si mjek ka 16 vite që punon. Ka ushtruar funksionin e mjekut familjar. Doktori, ka qenë me pacientë në ditën kur ka ardhur policia”, ka thënë drejtori i qendrës mjekësore të Malishevës, Nuhi Morina.
Por, familja e 15-vjeçares, e cila po e konsideron veten viktimë të këtij rasti, shprehet e vendosur që këtë punë ta çojë deri në fund.
“Unë lëndën kam me e çu deri në fund. I besojë vajzës sime fjalë për fjalë. Deri në fund do ta ndjek këtë rast. Nëse kjo punë nuk më zgjidhet në Gjakovë unë do të shkoj deri në fund e ta ndjek. Rasti ka ndodhë të enjten”, ka rrëfyer prindi i 15-vjeçares, duke thënë se pas rastit gjendja psikologjike e vajzës së tij është e rënduar.
Ndërkaq, mjeku Ramadan Sopaj, i akuzuar në këtë rast për ngacmim seksual të vajzës së mitur, është i njohur për institucionet e drejtësisë kosovare. Ai dyshohet se para një viti ka shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme për vete ose për fëmijët e tij.