Rrëfimi i Agim Ibrahimit për vrasjen e djalit të tij në veri të Mitrovicës 25 vjet më parë

Prishtinë | 30 Jan 2026 | 08:02 | Nga Ekonomia Online

Para 25 vitesh, si pasojë e shpërthimit të një granate dore, e hedhur nga grupe të serbëve në Lagjen e Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës, ishte vrarë i riu Gazmend Ibrahimi (15-vjeçar), kurse ishte plagosur vëllai i tij, Armendi. Gjithashtu, ishin plagosur edhe disa fqinj të lagjes.

Ndërkaq për KALLXO.com babai i Gazmendit, Agim Ibrahimi, ka rrëfyer ngjarjen e 29 janarit të vitit 2001.

Ai kujton se disa ditë para se të ndodhte ngjarja, disa serbë e kishin larguar nga shtëpia e tyre një familje shqiptare. Kështu që Gazmendi bashkë me shokët e tij bënin roje në lagje për ta “parandaluar” një gjë të tillë.

“Edhe këta banorët e lagjes filluan të organizohen, bënin roje për mos me ardhë prapë deri tek largimi i familjes, sepse ata tentonin çdo herë të na largojnë prej lagjes, prej shtëpive. Dhe kështu që bënin roje çdo natë për mos me ardhë prapë të ndonjë ekses, të ndonjë largimi të ndonjë familjeje”- tha ai.

Gazmendi me një nga shokët e tij

I ati i të ndjerit ishte në shtëpi kur dëgjoi zhurmën e granatës e për vdekjen e Gazmendit u njoftua nga fqinjët dhe spitali.

“Kështu që deri më datën 29, kur ndodhi rasti, roje kanë bërë, por serbët kanë qenë të organizuar me shumicë, numër i madh. Një rrugë më lart kanë kaluar kjo masë e madhe dhe i kanë hedhur dy granata dore. Gazmendi është vrarë, janë plagosur edhe disa banorë të lagjes, po ashtu edhe vëllai i Gazmendit, Armendi, ka qenë i plagosur në mesin e tyre”- shpjegoi ai.

Gazi, siç e quan ai, ka qenë një fëmijë i hapur, që e ka dashur jetën dhe ka pasur vullnet për gjithçka.

Ai tregoi se pasi u kthyen nga Shqipëria, pas përfundimit të luftës, për shkak të situatës kanë qëndruar te miqtë në Tavnik, ndërkaq në Lagjen e Boshnjakëve erdhën për shkak të këmbënguljes së Gazmendit për t’u kthyer në vendlindje.

“Çdo herë thojke: Po kthehemi në shtëpi. Jo dojna me u kthy, jo dojna me u kthy. Po kthehemi, kthehemi. Gjithë ka pasë vullnet me u kthy këtu ku ka jetu e ka lindur. Në Shqipëri kemi qenë deri kur kanë fillu me u kthy shqiptarët, kur kanë hyrë forcat e NATO-s dhe ne jemi kthy pas disa ditëve”- tha ai.

Pasi që shumë shtëpi në veri të Kosovës mbetën të djegura gjatë kohës së luftës, familja Ibrahimi me forcat e saj krijuan një strehë dhe plotësuan dëshirën e Gazmendit, kthimin te shokët e tij të lagjes.

“Kemi qëndruar te miqtë, te dajtë e Gazmendit, diku tetë muaj. Afro tetë muaj më vonë kam ardhur dhe e kam meremetuar, u kam bërë një dhomë të vogël aty tek një shtëpi e vogël. E kam rregulluar sa me u kthy dhe jemi kthyer këtu për të banuar. Kohë pas kohe kështu ka vazhduar, derisa kemi filluar me ndërtimin e shtëpisë”- u shpreh kryefamijari.

“Bëhuni të fortë, Allahu ju ndihmoftë, duhemi me vazhdu jetën, tjetër s’ka…”- ishte mesazhi që Agim Ibrahimi kishte për familjet që kishin humbur më të dashurit e tyre.

Të ngjashme