“Çfarë shteti ashtu kjo Jugosllavia që e shkatërron nji grue e pashkollë e katundare?” Kështu do të shprehej për mediat kosovare Sevdije Azemi. Ishte dënuar me dy vite burg për organizimin e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë më 27 mars 1989. Në aktakuzë thuhej se ajo kishte tentuar ta shkatërronte “vëllazërim-bashkimin”.
Politologu Fitim Salihu, ka ndarë një rrëfim për aktivisten Sevdije Azemi nga Mitrovica, që kishte organizuar protesta gjatë ’89-ës.
Sevdije Azemi ishte arrestuar nga policia jugosllave, pasi kishte nisur protestat nga fshati i saj në Mitrovicë. Qëndroi gati një vit në burg, e ka një rrëfim të jashtëzakonshëm, që e ka dhënë për gazetarët.
Shkrimi i plotë i Salihut:
“Çfarë shteti ashtu kjo Jugosllavia që e shkatërron nji grue e pashkollë e katundare?” Kështu do të shprehej për mediat kosovare Sevdije Azemi. Ishte dënuar me dy vite burg për organizimin e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë më 27 mars 1989. Në aktakuzë thuhej se ajo kishte tentuar ta shkatërronte “vëllazërim-bashkimin”.
Kur mori vesh për demonstratat kundër suprimimit të autonomisë dhe për grevën e minatorëve, ajo, një amvise, brenda natës u shndërrua në revolucionare. “Thashë, vetmevete, po unë ç’baj këtu, pse s’dal edhe unë,” e kujtonte më pas ajo, duke rrëfyer se si enkas për protesta i kish veshur dimitë e rrobet më të reja dhe shaminë që e kish kujtim nga nëna e saj.
Në hetuesi, Sevdija përjetoi shumë tortura. “Nuk më kanë dhimtë grushtat që m’i dhanë e më përgjakën, sa më dhimti zemra për shaminë e nanës që ma morën e s’ma kthyen kurrë,” rrëfente ajo për “Kosovaren” pas lirimit. Hetuesit e shanin dhe ofendonin. Njërit hetues Sevdija do t’i thoshte: “më shan se i kam duart e lidhura se vallahi s’kishe ditë as me fol.”
Ajo vuajti 11 muaj e 1 javë në burg. Kishte lënë të vetme në shtëpi shtatë fëmijë, të gjithë të mitur. Teuta, më e vogla, ishte vetëm pesë vjeçe. “Mos të ishin fëmijët nuk e kisha fort gajle burgun. Shpesh e shihsha Teutën e vogël në andërr tu thirrë – nanë, ku je,” kujtonte ajo më vonë. Vajza më e madhe ia kishte dërguar një letër në burg: “Nanë, të presim për Bajram!” Shtatë fëmijët e pritën atë Bajram të vitit 1989 me lotë te pragu i derës dhe pa nënën e tyre.
Megjithëkëtë, pas lirimit nga burgu, në një intervistë, ajo kish thënë: “Vallahi qe ku janë – të shtatit i jap për Kosovën!”
Nuk e di nëse Sevdije Azemi sot jeton apo jo. Por, e di që historia e saj është një pikë loti në vajin e këtij populli, guximi i saj një pikë djerse në mundin e këtij populli dhe plagët e burgut një pikë gjaku në sakrificën e këtij populli në luftën e tij për liri.