Rendi ka qenë të shkruhet dhe të flitet për sport. Për futboll më konkretisht. Për Kosovën në futboll, edhe më konkretisht. Punë e madhe që humbëm finalen me Turqinë për tu kualifikuar për Botërorin e futbollit që sivjet do të mbahet në tri shtete, në SHBA, Kanada, Meksikë. Këtë ‘punë e madhe’ e themi me zemër të plastë, si thuhet, por edhe me krenari, në anën tjetër, sepse futbollistët e Kosovës na dhanë të gjithë neve një pesëditësh magjik që lidhi fitoren e Bratisllavës, në ndeshjen me Sllovakinë, me këtë humbjen e Prishtinës, në dyluftimin me Turqinë.
Çfarë mrekullie do të ishte po të ngadhënjenim në këtë betejën finale dhe të fitonim të drejtën që të jemi pjesë e Kampionatit Botëror në futboll, i cili, folur me terminologjinë politike është një OKB e sportit të futbollit.
Kosova, si shtet, e ka larg OKB-në, për shkak të Rusisë. Këtë e dimë.
Kosova, si shtet, akoma nuk ka nisur procesin e negociatave për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, për shkak të pesëshes mos njohëse. Edhe këtë e dimë.
Kosova, si shtet, një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës, u rrëzua. Vet. E dimë madje edhe këtë.
Mezi e morëm të drejtën për të udhëtuar pa viza në Evropë. Mezi. Po mos të ishte Qeveria e Gjermanisë, as këtë të drejtë nuk do ta fitonim.
Dhe kështu me radhë. Mund t’i shtojmë këtyre kryefjalëve edhe shumë të tjera të cilat pa një pa dy e vërtetojnë që ende nuk jemi afër për ta siguruar një qëndrueshmëri ndërkombëtare afatgjatë.
Rrëfim i lodhshëm është ky. Gjithnjë e më i mërzitshëm. Apo jo.
E pra, në këtë kontekst ngufatës dhe aspak shpresëdhënës, futbollistët tonë na i dhanë ditët më të bukura që i kemi përjetuar për vite me radhë. Për këtë shkak, ata e meritojnë një falënderim të madh prej të gjithë neve. Pastaj, ata e bënë atë që më askush këtu dhe në Botë nuk mund ta bëjë: Ata na bashkuan, na bënë Një, edhe pse ne, rëndom (dhe kështu është edhe pas kësaj ndeshjeje me Turqinë), jemi në atë gjendjen natyrore Pikë dhe Pesë.
Sporti zaten si kësaj here, por edhe më parë me ato mrekullitë e xhudisteve tona në Olimpiada, ka bërë viteve të fundit më shumë për Kosovën, si këtu, ashtu edhe në Botë, se sa të gjitha organizimet shoqërore së bashku.
Jemi të bindur që rruga e futbollistëve tonë do të njeh ngritje të vazhdueshme.
Kështu do të jetë jo pse duam ne, por sepse këtë na e kanë treguar dhe dëshmuar vet ata në dy vitet e fundit.
Por ja që të këtë të enjte (të 2 prillit), u kthyem në realitetin më të vrazhdë të mundur, pas atyre ditëve që kanë siguruar kujtesën tonë.
Ajo çka pamë dhe çka dëgjuam në Kuvendin e Kosovës, një herë të shpërbërë dhe pastaj të ribërë (pas Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës), dhe me perspektivë të zhbërjes së serishme, ama kësaj here të përnjëmendtë, e cila do t’i hapte udhë zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, nuk lë aspak vend për kurrfarë shprese që tek ne do të ndodhë këndellja politike. Përkundrazi.
Në të vërtetë, për një venerues të kujdesshëm të rrjedhave politike në vend, ngjarjet e fundjavës së shkuar rreth Ekspozitës famëkeqe në sheshet e Prishtinës, dhe pastaj, ajo çka ndodhi në seancën e Kuvendit të Kosovës, çojnë te një konkludim, i cili mund të duket edhe i tepruar (qoftë ashtu), sipas të cilit del që kjo tatëpjeta politike e dy viteve të fundit ka marrë një dinamikë të re, e cila paralajmëron një përplasje të madhe politike.
Prej atij viti të rëndë politik të vitit 2015 (i cili na kujtohet të gjithëve), nuk mbahet në mend që jemi përballë me probleme, tensione, mosdurim të këtij niveli.
Të shkohet në zgjedhje të reja në një ambient të këtillë politik, nuk parathotë gjë të mirë.
Por në anën tjetër, si mundet ky ambient të ofrojë mundësi që megjithatë, politikanët dhe partitë tona të mbërrin disi së bashku në cakun e zgjedhjes së Presidentit të ri?
Vështirë. Shumë vështirë.