“Asgjë nuk na përket neve më; ata na i morën rrobat, këpucët e madje edhe flokët; nëse flasim, ata nuk na dëgjojnë dhe nëse na dëgjojnë, nuk na kuptojnë. Do të na i marrin edhe emrat: dhe nëse duam që t’i mbajmë, duhet ta gjejmë forcën për ta bërë këtë, që ta mundësojmë se prapa emrave tanë të mbetet ende diçka e jona, diçka prej asaj që ne jemi”.
Kështu Primo Levi e përshkruan fillimin e procesit të “shkatërrimit të një burri”, atë “shkeljen” që Auschwitzi ua shkaktoi të gjithë atyre njerëzve. “Häftling”, shkruan ai në librin e tij “If This Is a Man”, duke e përdorur fjalën gjermane për të burgosurin. “Mësova se jam një Häftling. Emri im është 174517”.
Përmes “If This Is a Man”, Levi përsërit se mbijetesa ishte thjesht një çështje e ngjarjeve rastësore, koincidencave dhe fatit. Por kërkon edhe rezistencë kokëfortë, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Siç shpjegon Levi më pastaj, ai ka mbetur i “përkushtuar që t’i njohë gjithmonë, edhe në ditët më të errëta, te shoqëruesit e mi dhe te vetja, burrat, e jo gjërat”.
Levi i mbahet njerëzisë së tij deri në çlirimin e kampit. Por është ndjekur nga uria, rraskapitja dhe tmerri i palodhur. Ndjesia e tij e vetes është minuar nga dobësia mendore dhe trupore, si dhe kompromiset morale të nevojshme për mbijetesë. “If This Is a Man” përfundon me Levin e zhytur në njëfarë harrese të rrezikshme. Ai nuk është “mbytur”, siç e thotë, por as nuk na shfaq ndonjë gjë për shpëtimin.
Faqet e fundit janë të çuditshme dhe të vrazhda. Rusët arrijnë teksa Levi dhe shoqëruesi i tij – Charles – e bartin një kufomë jashtë qelisë së tyre. Ata e mënjanojnë ngarkesën. Charlesi e heq beretën; Levi ndien keqardhje që edhe ai nuk e ka një të tillë. Na jepet një dromcë informate se Levi ka vazhduar me jetën e tij, për shkak se na tregon se u ka shkruar letra të të mbijetuarve të tjerë. Dhe kaq.
Është kapitulli “The Truce” ai ku Levi na tregon se si e ka rindërtuar njerëzinë e tij, pas shkatërrimit të tij në Auschwitz. Është kjo një ngjitje e gjatë drejt dritës dhe – mrekullueshëm – është shpesh e bukur. Më shumë se kaq, është qesharake.
Libri i tregon ditët e fundit të Levit në kampin e Polonisë jugore, para kthimit të tij, më në fund, në qytetin e lindjes Torino, përmes rrugëve të shumta e të stërzgjatura tërthore dhe gjarpërimeve përmes Rusisë sovjetike, Rumanisë, Republikës Çeke, Hungarisë dhe Austrisë. Është një “rrugëtim absurd” i gjatë, siç e përshkroi atë Philip Tonynbee në “Observer”, kur libri doli së pari në botim në anglishte gjatë 1965-s. “Një poemë në nder të zgjuarsisë dhe përjetimit njerëzor”.