Gjykata e Tiranës ka dhënë sot paradite masën e sigurisë “arrest me burg” për 61-vjeçarin me inicialet Q.N, pasi ky i fundit ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij për shumë vite.
Vajza 25-vjeçare ka rrëfyer në Polici se i ati e ka përdhunuar për herë të parë në moshën 9-vjeçare. J.Nakuçi ka rrëfyer më tutje se i ati e kishte lënë në moshën 19-vjeçare shtatzënë dhe se e kishte detyruar të abortonte.
25-vjeçarja është larguar prej disa ditësh nga shtëpia e saj, që ndodhet në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë”, dhe është strehuar në një Kishë Ortodokse.
Ajo shkonte shpesh aty për shkak se ishte shumë besimtare, por pavarësisht se i ati kishte abuzuar seksualisht me të për vite me radhë, nuk ishte rrëfyer asnjëherë. Duke qenë se ishte miqësuar me murgeshat, por edhe për shkak të dhunës e abuzimit të vazhdueshëm nga i ati, 25-vjeçarja më në fund u ishte rrëfyer.
Murgeshat e kanë bindur që të drejtohej në Polici dhe e kanë shoqëruar në Komisariatin nr.2 për të bërë kallëzim.
Burime nga Policia thanë se vajza ka treguar se abuzimi seksual nga i ati kishte nisur një mbrëmje kur ai ishte kthyer i dehur në shtëpi. E njëjta histori kishte vazhduar nën presione, dhunë e kërcënime, sa herë që ai ndodhej vetëm me të në shtëpi.
Ajo jetonte vetëm me të atin dhe motrën e vogël (24 vjeç), pasi prindërit e saj janë divorcuar që prej vitit 2002.