Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka diskutuar rreth paraqitjes publike të Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në diskutimin “Jehona e zërit të saj: Ndikimi i paraqitjes publike i zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, u tha se pas rrëfimit të Vasfijes, të mbijetuara e dhunës seksuale kanë filluar të flasin për atë që kanë përjetuar.
Mirlinda Sada nga “Medika Gjakova”, ka thënë se pas rrëfimit të Vasfijes, viktimat tjera të dhunës seksuale kanë arrit të ndryshojnë duke treguar për atë që kanë përjetuar. Sipas saj, ky rast i ka shtyrë ato në një iniciativë për të vepruar.
“Pozitive është se ato gra kanë arrit me u përballë me të gjitha komentet dhe të reagojnë si me komente pozitive e negative. Nuk guxojmë të harrojmë se Vasfija para se me qenë Goodman, ka qenë Krasniqi dhe vetë familja e saj i ka dhënë guxim dhe e ka shtyrë të mos heshtë. Jehona e zërit të saj duhet të ndërgjegjësoj, vëllezërit, motrat, nënat e të gjitha viktimave. Është momenti fundit që t’i bashkohemi zërit të saj”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.
Kadire Tahiraj, nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, ka thënë se rrëfimi publik i Vasfije Krasniqit ka ndikuar tek viktimat e tjera të dhunës seksuale, por më të rëndësishëm vlerësoi ndikimin që ka pasur tek burrat, familjarë të cilët janë treguar më të hapur karshi grave viktima.
“Zonja Vasfije ka thyer heshtjen tek viktimat e dhunës seksuale dhe tek shoqëria kosovare ka thyer një heshtje, ka thyer një tabu. Vasfija asnjëherë nuk ka heshtë. Ndaj këtij krimi kanë heshtë institucionet. Viktimat e dhunës asnjëherë nuk kanë heshtë, e vetmja derë që u ka ndihmuar ka qenë organizata. Ka pas ndikim edhe tek gjinia mashkullore. Po e citoj një të mbijetuar: E shikoj burri rrëfimin e Vasfijes dhe i tha, bravo heroinë, bravo shotë Galica. Dhe ishte momenti se kur mund t’ia them rrëfimin tim. Ka filluar një ndikim pozitiv tek te mbijetuarat dhe tej familjarët”, ka thënë Tahiraj, raporton EO.
Fitim Flugaj, nga Bashkësia Islame, ka thënë se roli i tyre është t’i mbështesë në këtë rast të gjitha viktimat, teksa shtoi se një nga format është këshillimi që mund të bëhet gjatë xhumave.
“Si Bashkësi Islame mundohemi që përmes këshillave, sidomos në rastin e Vasfijes, që në të gjitha meset, edhe ato fetare, ajo ka treguar një burrni të saj dhe ne e kemi quajtur heroinë. Të ishte ajo bija jote, motra apo nëna jote, çka do të bëje. Ne Vasfijen duhet ta trajtojmë si motër e jona, bijë e jona që kërkon përkrahje dhe përkrahjen duhet t’ia japim në çdo moment”, tha ai.
Feride Rushiti, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se rasti i Vasfijes për herë të parë ka bërë që të kemi përkrahje institucionale dhe që çështja e viktimave të dhunës seksuale të ngritët edhe në nivel botëror.
Rushiti tha se shpreson që ky të jetë rast që viktimat e tjera të dhunës seksuale të vetëdijesohen që të mos heshtin.
“Arritëm publikisht ta sjellim zonjën Vasfije, një e mbijetuar që ka rënë në kontakt me qendrën ndërsa përgatita për të dale në publik ka filluar një vit me parë. Ne kemi biseduar gjatë me të, si mund të vijë ajo në Kosovë, si mund ta ndajë storien e saj. Mos të harrojmë se përveç dëshirës së saj për ta ndarë storien e saj, ishte e rëndësishme të kishte edhe përkrahjen familjare. Në këtë rrugëtim i kemi pas edhe frikat, dilemat a po mundet Vasfija me e nda përvojën e saj, në një audiencë ku krimi qe i ka ndodhë nuk ishte shumë larg”, tha Rushiti, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi dashtë me përçuar dhimbjen e 20 mijë burrave, grave që kanë përjetuar një dhimbje të tillë. Ne menduam se Vasfija si rast i tillë mund të jetë rasti më i mirë që me e mobilizuar shoqërinë që viktimat e dhunës seksuale të vetëdijesohen dhe një herë e mirë me i dhënë fund heshtjes”, tha ajo.
Igballe Rugova nga rrjeti i “Grave të Kosovës”, ka rikujtuar rastin e Sevdije Ahmetit për ta ngritur këtë çështje, por që u persekutua sepse ngriti zërin.
Ndërkaq, tha se këtë herë zëri i Vasfijes i dha jehonë dhe ndikim më të madh, duke thënë se shpreson që Gjykata Speciale do të bëjë diçka për viktimat.
“Sevdija është persekutuar sepse ka ngritë zërin. Atëherë deputetët nuk e votuan ligjin, e këto deputet sot fotografohen me to, a s’është kjo hipokrizi. Po Vasfija i theu këto barriera, deri në derën e presidentit, tregoi se këto gra nuk janë vetëm. Vazhdimisht është kërkuar drejtësi, por është stopu, gjithmonë ka qenë e stopume”, tha ajo.
Sociologia Linda Gusia, ka thënë se dalja publike e Vasfijes ka qenë një rikthim i kujtesës dhe vëmendjes ndërkombëtare për luftën në Kosovë dhe atë çka ka ndodhë gjatë luftës.
“Rasti i Vasfijes e humanizon historinë të cilën të gjitha gratë kanë tentuar me e tregu dhunën seksuale. Lufta për me bë ligjin ka qenë e jashtëzakonshme veç me e krijuar atë kornizë ligjore. Çka është e rëndësishme dhe Vasfija çka ka bërë më së miri është se ka arrit me fol në vetën e parë, me historinë e saj ka arrit me prekë shoqërinë. Vasfija ka qenë një zë i shpresës, një zë që na lë me reflektu jo vetëm në një mënyrë të spektaklit, mendoj se si shoqëri është momenti i fundit me kërkuar drejtësi”, tha ajo.