Fondi për të drejtën Humanitare në Kosovë (FDH) ka mbajtur ligjëratën publike “Sot, 20 vite më parë: Rasti i familjes Bala”, në kuadër të ciklit të ligjëratave publike në nder të viktimave dhe të përkujtimit të ngjarjeve të luftës në ditën e 20-vjetorit të tyre, raporton Ekonomia Online.
Drejtori Ekzekutiv i FDH, Bekim Blakaj, tha se ligjërata e sotme është fokusuar në familjen Bala nga Peja, ku 20 vjet më parë serbët vranë 7 anëtarë të kësaj familje, 5 prej tyre ishin fëmijë.
“Bëhet fjalë për familjen Bala nga Peja ku 7 anëtarë të familjes Bala humbën jetën, 5 prej tyre fëmijë, sot gjendemi në hapësirat e ekspozitës që i dedikohet fëmijëve të cilët janë vra apo janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, edhe rasti që po prezantojmë sot në këtë rast 5 fëmijë kanë humbur jetën. Ky rast ka qenë një ndër krimet e fundit të kryera nga forcat serbe në Kosovë më 12 qershor të vitit ‘99, ky krim është kryer në Pejë”, shtoi Blakaj.
Dea Dedi, nga FDH para të pranishmëve ka treguar historinë e familjes Bala kur serbët hynë në shtëpinë e tyre ku filloi tortura deri në vrasjen e tyre.
“Isa Bala punonte si kasap në Pejë bashkë me nënën e tij, gruan dhe 4 fëmijët e tyre, pak shtëpi më poshtë jetonte edhe vëllai i tij Musa Bala me gruan dhe 3 fëmijët e tij, pasi që ditë më parë ata nuk u lejuan të largohen në Shqipëri, Musa vendosi të qëndroj në shtëpinë e Isës të jenë më të sigurt. Më 12 qershor rreth orës 9 të mbrëmjes Isa Bala ishte në shtëpinë e tij me familjen, atë natë nuk kishte energji elektrike dhe ata qëndronin në katin e dytë të shtëpisë rreth orës 9:30 dëgjohen krisma e britma në derën e shtëpisë, Isa doli në ballkon për të parë kush ishte dhe pa njerëz të armatosur që kërkonin të hynin brenda ai hapi derën dhe disa hynë brenda. Ata shkuan në katin e dytë të shtëpisë dhe gjithë u mblodhën në dhomën e pritjes përveç nënës së tyre, pasi u ulën brenda ia vunë flakën një jastëku brenda shtëpisë”, tregoi ajo.
Dedi tregoi që serbët kërkuan nga familja gjithë paratë që kishin edhe stolitë e grave të tyre, ku pas kësaj gruaja e Musës u përdhunua nga ta dhe më pas e vranë bashkë me familjen.
Ajo tha se Nebojsa Miniç ishte i dyshuari kryesor për vrasjet në Pejë ku ishte arrestuar në Argjentinë dhe kishte vdekur në vitin 2005.
Dedi tregoi se vëllai Isa Bala është ende gjallë i cili jeton në shtëpinë e tyre në Pejë bashkë me gruan dhe djalin e tyre duke kërkuar drejtësinë për vëllanë Musën dhe familjen e tij.