Rrëfimi tronditës i futbollistit: Më morën peng babanë para ndeshjes me Argjentinën

Prishtinë | 04 Kor 2018 | 08:57 | Nga

Kapiteni i Nigerisë, John Obi Mikel, para ndeshjes me Argjentinën më 26 qershor, kishte marrë një telefonat se babai i tij ishte marrë peng dhe se do të vritej nëse ai do të lajmëronte autoritetet.

Mikel i ka thënë KweséESPN se telefonatën e kishte marrë katër orë para se të fillonte ndeshja ku Nigeria do të luante në St. Petersburg ndaj Argjentinës dhe se duheshin të paguheshin diku rreth 28 mijë dollarë për babin e tij Pa Michael Obi.

Edhe policia nigeriane e ka konfirmuar rrëmbimin, duke treguar se kjo ka ndodhur në qytetin Udi në Enugu State, ku babi i lojtarit ishte në një funeral te një i afërm.

Policia ka folur, vetëm pasi lojtari e ka pranuar atë që i ka ndodhur.
Mikel, ka treguar se për rastin nuk i kishte treguar askujt, madje as krerëve të federatës, as trajnerit Gernot Rohr, askujt.

“Isha konfuz. Nuk e dija se çfarë të bëja, por e dija që nuk mund t’i zhgënjeja 180 milionë nigerianë”.

“M’u desh të mbyllesha në kokën time dhe të shkoja e ta përfaqësoja vendin tim. Më thanë se do ta vrisnin menjëherë babanë në qoftë se unë do t’u raportoja autoriteteve”.

“Dhe unë nuk e diskutova këtë as me trajnerin, sepse nuk doja që çështja ime të bëhet një shqetësim edhe për trajnerin, as për pjesën tjetër të ekipit”, deklaroi lojtari.
Nigeria humbi ndeshjen 2-1 me Argjentinën dhe u eliminua nga Kampionati Botëror.

Babai i lojtarit u gjend në një pyll, ku ishte lënë nga rrëmbyesit, pasi këta të fundit kishin gjuajtur me armë drejt policisë.

Mesfushori fluturoi menjëherë në Angli për t’u përballur me situatën dhe tani ka planifikuar të kthehet në Kinë, ku luan futbollin, shkruan tg.

Kjo është hera e dytë që babai i Mikel ishte rrëmbyer. Incidenti i parë ishte në vitin 2011; ai u lirua 10 ditë pas rrëmbimit.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme