Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë të enjten se përdorimi i vaksinës kundër koronavirusit, nga kompania AstraZeeneca, është i sigurt, pavarësisht raportimeve për trashje gjaku.
Sipas kësaj agjencie, përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet.
Megjithatë, agjencia ka thënë se do të vazhdojë të studiojë lidhjet në mes të trashjes së gjakut dhe vaksinës.
Këto gjetje janë bërë publike pasi 13 shtete kanë pezulluar dhënien e vaksinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje të enjten për vazhdim të përdorimit të vaksinës.
Vetë OBSH-ja pritet të publikojë rezultatet e kërkimeve të veta për sigurinë e kësaj vaksine, të premten.
Hetimi i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve është fokusuar në numrin e vogël të rasteve të raportuara me probleme me gjak.
Në veçanti, hetimet janë fokusuar në trashje gjaku në kokë.
Ndonëse Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit, ky vend pritet të furnizohet fillimisht me këto vaksina.
Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.