Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë, që preku në orët e para të mëngjesit të gjithë vendin, ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në qytetin ku u regjistrua edhe epiqendra e tij, Durrës.
Një pallat afër Kryqit të Kuq, ndërtuar në ‘94, është shembur. Sipas burimeve për Mao, disa persona kanë mbetur nën rrënoja dhe po kërkojnë ndihmë për jetën. Top Channel raporton se bëhet fjalë për rreth 10 banorë.
Sipas informacioneve paraprake, zjarrfikësit dhe efektivët FA po iu vijnë në ndihmë.
Tërmeti ka shkaktuar dëme edhe në zona të tjera të Durrësit.
Një hotel që ndodhet pranë Shkëmbit të Kavajës, Vila Palma, është shembur po ashtu.
Në Villa Palma, thuhet se ka pasur edhe pushues nga Kosova, po që ende nuk dihet se cila është gjendja brenda hotelit.
Kujtojmë, që vendi është goditur sërish nga tërmetet. Tirana është prekur në orën 02:54 nga një tërmet i magnitudës 6.4 dhe thellësi 10 km, me epiqendër në Detin Adriatik, Durrës.
Sipas të dhënave paraprake, tërmeti i fuqishëm që zgjati rreth 20 sekonda, është ndjekur pas pak minutash nga një tjetër me magnitudë 4.0 dhe thellësi 2 km.
Lëkundjet e tokës në vend filluan në orën 21:57, nga një tërmet i magnitudës 3.5, që zgjati shumë pak sekonda.
Lëkundjet e orëve të para të mëngjesit janë ndierë të forta në qytetin e Tiranës, duke rikthyer panikun e tërmetit të 21 shtatorit, që shkaktoi mjaft dëme materiale.