Papunësia tek të rinjtë në Kosovë është mjaft e lartë, por është edhe një kategori tjetër e të rinjve që përveç papunësisë, nuk kanë kurrfarë shprese që të kenë të ardhme të qëndrueshme.
Ata nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën, e as nuk trajnohen, shkruan Gazeta Fjala. Në këtë gjendje sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës janë gjithsej 97 mijë e 910 të rinj.
“Domethënë janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor. Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës”, thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore të ASK-së për tremujorin e parë të këtij viti.
Përveç kësaj, sipas Anketes, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale.
Ndryshe, bazuar në tremujorin e parë të vitit 2017, 26.3 për qind e të papunëve në Kosovë ishin të rinj të moshës mes 15-24 vjeç.