Gati 6 milionë euro për një vit i kanë kushtuar buxhetit kabinetet e 21 ministrave të Qeverisë Haradinaj.
Më 2018 nëpër kabinetet e ministrave ishin të punësuar 344 persona, shpenzimet e buxhetit për këtë kategori, ishin 5 milionë e 874 mijë e 808 euro.
Neni 25 i rregullores së Zyrës së Kryeministrit, përcakton se kabinetet e ministrave përfshijnë ministrin, zëvendësministrin, këshilltarët politikë të ministrave dhe nëpunësit e punësuar në kabinete, raporton KTV.
Sipas një raporti të bërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe ai i Mjedisit, Fatmir Matoshi, janë kampionë me numrin më të madh, me 20 të punësuar në kabinetet e tyre.
Kabineti i Rrustem Berishës / 20 të punësuar – 326. 646 euro
Kabineti i Fatmir Matoshit / 20 të punësuar – 255. 488 euro
Ndonëse me 12 të punësuar në kabinetin e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, për 2018-n i janë ndarë nga buxheti më shumë se 800 mijë euro.
Kabineti i Behgjet Pacollit / 12 të punësuar – 812.457 euro
Pavarësisht se është duke u hartuar Ligji për Qeverinë, numri i zëvendësministrave dhe i këshilltarëve është rritur gjatë kësaj qeverisjeje.
Kabinetit të ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj, për një vit i janë ndarë 365 mijë euro.
Kabineti i Besim Beqajt / 17 të punësuar – 365. 501 euro
Në vitin e kaluar me numrin e njëjtë të të punësuarve dhe me shpenzimet e njëjta, ishte edhe kabineti i ministrit të Diasporës, Dardan Gashi.
Kabineti i Dardan Gashit / 17 të punësuar – 365. 501 euro
Më 2018, kabineti i ministrit të Brendshëm, Ekrem Mustafa, kishte 19 punonjës, ndërsa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri- 18, aq sa kishte edhe ministri i Tregtisë, Endrit Shala.
Kabineti i Ekrem Mustafës / 19 të punësuar – 282.761 euro
Kabineti i Abelard Tahirit / 18 të punësuar – 268.052 euro
Ndërkaq, kabinetet e ministrave të Punës, të Financave, të Zhvillimit Ekonomik, Integrimit Evropian, të ministrit Infrastrukturës dhe të Kulturës, kanë secili nga 17 punonjës.
Numër më të vogël të të punësuarve në kabinetet e tyre kanë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, dhe ai i Administratës Publike, Mahir Yagcilar me nga 10.
Këto të dhëna i ka konfirmuar edhe koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore Besnik Tahiri.
Por, ai ka thënë se me Ligjin për Qeverinë do të ketë kufizime për numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe të këshilltarëve.
Edhe shumica prej Ministrive kanë konfirmuar se ky numër i të punësuarve vazhdon të jetë i njëjtë edhe gjatë 2019-s.
Qeveria ka edhe dy zëvendëskryeministra pa post ministror, Enver Hoxhajn dhe Fatmir Limajn, të cilët mund të emërojnë nga 11 këshilltarë secili.