Janë rreth 70 studentë dhe shtetas kosovarë që kanë mbetur në Britani të Madhe që nga shfaqja e pandemisë së COVID-19.
Ata thonë se kanë mbetur të izoluar në Londër prej se bizneset ku ata punojnë dhe universitet ku studiojnë kanë pezulluar aktivitetet si pasojë e masave në luftën kundër shpërndarjes së virusit në vend.
Gjatë javëve të kaluara, ata thonë se kanë kontaktuar shumë herë ambasadën e Kosovës në Londër duke kërkuar mundësimin e kthimit në Kosovë.
“Ambasada e Kosovës ka përpiluar listën e studentëve dhe shtetasve tjerë të interesuar që të kthehen në Kosove, qysh nga mesi i muajit mars. Deri tani dihet që numri i tyre sillet diku rreth 70. Problemi është se prej asaj dite me nuk ka asnjë informatë kur do të organizohet fluturimi. Ne kemi tentuar të kontaktojmë të gjitha ministritë dhe institucionet përkatëse të marr ndonjë informatë, por tani për tani nuk ka asnjë indikacion nëse/kur do të ndodhë ky fluturim”, thonë ata për Telegrafin.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit thonë se janë në njohuri për kërkesat, por se aktualisht është i pamundur organizimi i një fluturimi me Londrën.
Shefi i kabinetit të MIA-së, Alban Zogaj, për Telegrafin tha se janë të planifikuara disa fluturime me shtete të tjera përpara se t’i vije radha fluturimeve nga Londra.
“Aktualisht i kemi vendet e Skandinavisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të punojmë edhe në aspektin e Londrës. Nuk kemi datë konkrete, sepse me vendet skandinave dhe SHBA-në është caktuar data dhe me këtë do të punojmë edhe në aspektin e Londrës”, tha Zogaj.
Ai shton se janë duke pritur që të bëhet një listë e plotë me personat që do të vijnë në Kosovë nga Britania e Madhe.
“Siç e dini ne jemi duke punuar intensivisht me të gjitha shtetet edhe kthemi kthime, presim edhe prej Londrës, pasi kemi pritur të krijohet një listë e mjaftueshme dhe pastaj ta fusim si prioritet. Kemi punuar me të gjitha shtetet varësisht prej urgjencës e listës edhe Londrës do t’i vjen rendi”, shtoi ai.
Ditë më parë, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, kishte bërë të ditur se janë rreth 2 mijë qytetarë jashtë vendit që kanë shprehur kërkesën për kthim në Kosovë, duke treguar se kthimi i tyre do të bëhet sipas nevojave dhe rasteve.
Sipas tij, deri më tani janë organizuar disa fluturime dhe transporte tokësore për kthimin e shumë qytetarëve nga jashtë Kosovës.
Nga momenti i paraqitjes së masave të para me COVID-19 në Kosovë, MIA kishte anuluar përkohësisht transportin tokësor dhe ajror deri në tejkalimin e pandemisë.