Kosova rrezikon t’i humb 300 milionë euro në Arbitrazh ndërkombëtar.
E në zyrat e avokaturës shtetërore për momentin janë pesë raste aktive në Arbitrazh.
Për këtë Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Sami Istrefi tha për gazetën Objektiv se duhet të ketë kujdes në nënshkrimin e kontratave dhe anulimin e tyre.
“Duke pas parasysh që i kemi tani më pesë raste aktive në arbitrazh ndërkombëtar dhe të gjithë këto arrijnë një vlerë prej 300 milionë euro edhe këtu ministri ka ngritë një shqetësim te administrata e shtetit që të kenë kujdes me rastin e nënshkrimit të kontratave, hartimit të vendimeve të anulimeve të tyre me operatorë ekonomik apo edhe me palët të cilat janë të përfshira në marrëveshjet në mes shtetit të Kosovës, ministrive apo agjencioneve të ndryshme meqë tani mund të jetë cak i goditjes në arbitrazh ndërkombëtar”, tha Istrefi.
E fundit që e ka paditur shtetin e Kosovës në Arbitrazh është kompania financiare “IuteCredit”.
Ajo kërkon dëmshpërblim 30 milionë euro pasi Banka Qendrore ia ka revokuar licencën në fillim të dhjetorit të vitit 2019-të.
Sipas Istrefit, tani janë në fazën e përzgjedhjes së firmës ligjore që do ta përfaqësoj Kosovën në këtë rast.
“Sipas njoftimit që e kemi nga qeveria, jo me shkrim, një kërkesë e tillë është refuzuar për shkak që ne mund t’i zhvillojmë procedurat e prokurimit pa hy në procedura e negocimit gjë që këtu shpreh edhe shqetësimin tim për shkak që duhet të jemi shumë të kujdesshëm në zgjedhjen e firmave ligjore që do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në artbitrazh ndërkombëtar. Bazuar në rregullat e prokurimit normalisht që kur zgjedhen kompanitë premium, kompanitë që kanë përvojë të gjatë në arbitrazh ndërkombëtar, ato nuk mund të kushtojnë lirë për faktin se tani më kemi dy raste tjera të cilat kemi pas rastin ta kemi rastin e Grandit, kemi pas rastin e Viktorisë me të cilat kompania Patenboksi është zgjidhë në procedurat e prokurimit i ka kushtuar Kosovës”, shtoi Istrefi.
Por, për të mos u përballur Kosova me raste të shpeshta në Arbitrazh, Istrefi kërkon ndryshimin e ligjit për investimet e huaja në Kosovë.
“Ne sot edhe zyrtarisht do t’i drejtojmë shkresë zyrtare Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, z.Krasniqi nga i cili do të kërkojmë që me urgjencë të iniciohen procedurat e plotësim-ndryshimit të ligjit për investime të huaja, më konkretisht të Nenit 16 për shkak që aty kanë lënë hapësira me të cilën palët mund ta paraqesin Kosovën në gjykatat e rregullta dhe në atë të Arbitrazhit, pa ndonjë procedurë tjetër apo pa i shtjerrë procedurat vendore ashtu siç i kanë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Kjo dispozitë ka qenë e vullnetit të mirë që mbas pavarësisë së Kosovës të vijnë investitorë të ndryshëm, mirëpo historia na ka treguar ndryshe”, përfundoi Istrefi.
Ndryshe Avokatura e Shtetit i ka pranuar 1935 lëndë gjatë vitit që po e lëm pas.
Dy raste janë fituar, një rast ka të bëjë me një kontest, dhe i janë mbrojtur shtetit 1 milionë euro