Lajmet sajuara, propaganda dhe dizinformimi kanë ekzistuar gjithmonë. Por ajo që vërehet në ditët tona është një përhapje e shpejtë dhe me përmasa globale e këtyre informatave të manipuluara.
Shqetësimi për përhapjen në kohë reale të lajmeve të rreme në epokën dixhitale dhe ndikimi negativ që ka dizinformimi tek besueshmëria dhe pavarësia e gazetarisë profesionale, tek vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut ishin në fokusin e një analize të një grupi ekspertësh të mbledhur ditët e fundit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
”Interesant është fakti si ka evoluar perceptimi i termit “lajme të rreme” pasi ky term tani nënkupton informacion të sajuar, që krijon tensione dhe që shpesh përhapet përmes medias sociale,” tha Ambasadori austriak në OKB, Thomas Hajnoczi.
Ai tha se kjo prirje përfaqëson kërcënim pasi “në epokën tonë dixhitale, çdo individ ka qasje në internet ku lajmet e rreme mund të lexohen nga miliona vetë në të gjithë globin dhe është vështirë të kuptohet ku qëndron e vërteta”.
Eileen Donahoe, Drejtore Ekzekutive për Qeverisjen Ndërkombëtare pranë Universitetit Stanford dhe ish-ambasadore në Këshillin për të Drejtat e Njeriut e cilësoi epokën dixhitale një forcë në të mirë të njerëzimit.
Ajo tha se epoka dixhitale ka luajtur “një rol shumë pozitiv në mundësimin e shkëmbimit të lirë të informacionit, qasjes tek informacioni dhe lirinë e shprehjes në rang global”.
“Procesi ka mundësuar edhe demokratizimin e mjeteve për përhajen e informacionit. Dhe ka qenë në përgjithësi një forcë pozitive për lëvizjen e të drejtave të njeriut”.
Por zonja Donahoe paralajmëroi se kishte shumë forca të tjera që punojnë kundër kësaj prirjeje dhe se nuk ka garanci që rezultantja neto e teknologjisë dixhitale do të jetë pozitive.
Ajo foli për rreziqet nga manipulimi i informacionit në proceset që shoqëruan Brexit-in apo zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Teknologjia dixhitale mund të shërbejë si një forcë shumë e fuqishme për të minuar proceset demokratike dhe lajmet e rreme shkatërrojnë cilësinë e diskutimit në demokraci dhe marrëdhëniet e qytetarëve me qeverinë”.
Rasha Abdulla, Profesore e Gazetarisë në Universitetin Amerikan në Kairo, thotë se gjatë javëve të fundit qeveria egjiptiane ka bllokuar faqe interneti, sidomos portale informative:
“Për momentin përllogarisim se 53-57 site elektronike, kryesisht portale lajmesh janë bllokuar”.
“Nëse bllokohen portale të mirëfillta të gazetarisë së pavarur, informacioni i vetëm që mbetet janë lajmet e rreme,” thotë zonja Abdulla.
Media sociale si Facebook, Twitter dhe Google janë bërë objekt kritikash pasi kanë shërbyer si platforma për fabrikimin dhe përhapjen e lajmeve të rreme.
Peter Cunliffe-Jones, Kryetar i Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve, një organizatë që mbulon aktivitetin e shumë grupeve për verifikimin e informacionit, thotë se sidomos pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kompanitë teknologjike janë nën presion për t’u prerë rrugën lajmeve të rreme:
“Që nga ajo kohë kemi parë që Google, Twitter, Facebook dhe të tjerë po punojnë për të hartuar strategji që luftojnë lajmet e rreme”.
Për shembull, thotë ai, Facebook-u ka rënë dakord të punojë në shumë vende me organizata të pavarura për mbledhjen e fakteve për të analizuar njoftimet për lajme të rreme nga përdorues të Facebook-ut.
“Ne jetojmë në një epokë që e shoh si histeri informimi,” thotë David Kaye, Raportues Special për OKB lidhur me nxitjen dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe informimit.
“Mënyra më e lehtë për t’iu përgjigjur informatave që nuk na pëlqejnë është duke i censuruar, duke bllokuar një faqe interneti”.
Ai e quan censurën një “mënyrë dembele për t’iu përgjigur këtij rreziku”.
“Mendoj se po shfaqet një farë pakënaqësie ndaj lirisë së shprehjes. Nuk po them se lajmet e rreme, dizinformimi dhe propaganda nuk janë problem. Por nuk duhet të gjejmë zgjidhje që bazohen tek censura apo bllokimi,” thotë zoti Kaye.