Për shkak të temperaturave të larta, shumë komuna të Kosovës janë përfshirë nga zjarret.
Zjarri ka shpërthyer edhe në disa fshatra të Komunës së Istogut.
Kryetari i Istogut, Haki Rugova, ka deklaruar për Front Online se për shkak të rrezikut nga përhapja e zjarreve do të bëhet evakuimi i disa banorëve.
“Zjarret janë shpërndarë në disa lokacione në: Prekall, Dobrush, Llukavc, dhe ka gjasa që disa banorë duhet të evakuojmë me i larguar nga rreziku”, tha Rugova.
Rugova tha se për ta lokalizuar zjarrin janë angazhuar edhe banorët e atyre fshatrave.
Tutje, Rugova shtoi edhe se me forcat e tyre dhe të qytetarëve janë duke punuar për shuarjen e zjarrit.
“Me takatin tonë jemi duke u munduar me ju dalë në ndihmë qytetarëve, dhe krejt qytetarët e atyre vendbanimeve janë angazhuar për ta shuar zjarrin” tha ai.
Kryetari i Istogut, tha se shkaktar i përhapjes së zjarrit janë erërat e fuqishme.
“Është duke fryrë një erë jugore e fuqishme e papërballueshme në ndalim e zjarreve, kemi kontaktuar me ekipet e komunave fqinjë por edhe ata I kanë hallet e veta”, tha ai.