Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj vendimin të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilën e ka quajtur vonesa në “ndjekjen e krimit” dhe në reformën e synuar nga ata në sistemin e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Shefi i ekzekutivit, ka thënë se nga këto ligje ka dobi publike karshi pasurimit të pabazë, kriminal e individual, Kushtetuesja zgjo ndryshe.
“Kemi hartuar dhe miratuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ashtu siç kemi miratuar edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në seancën e radhës do të votohet në leximit të dytë. Për më shumë prokurorë efikas dhe të pavarur nga politika e për një institucion të pavarur që do të kthente pasurinë e vjedhur. Të dy këto ligje si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit u konsultuan edhe me Komisionin e Venecias që i aprovoi të dy këto”, ka thënë Kurti.
“Megjithëkëtë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi të dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit dhe ta vonojë reformën tonë. Me 5 vota për në raport me 4 vota kundër, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se Kushtetuta është shkelur me ligjin për byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke treguar kështu se Kushtetuta ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve të Kushtetueses në raport me gjysmën tjetër”.
Më tej, ai ka përmendur edhe vendimin tjetër e Kushtetueses për shkarkimin e një anëtareje të OShP-së.
“Njëkohësisht, kjo gjykatë gjen që manipulimin në blerjen e insulinave dhe kësisoj rrezikim të shëndetit publik nuk është faj i anëtares së OSHP-së të shkarkuar nga Kuvendi me propozim të Qeverisë, sepse nuk ishte dëshmuar shkelje e etikes së punës si bazë për shkarkim. E rrezikimi i shëndetit publik dhe manipulimi me tendera milionësh për Gjyakytën Kushtetuese nuk është në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Kurti
Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 211-të të Qeverisë
Të nderuar zëvendëskryeministra Bislimi e Rexhepi,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të mediave,
Të dashur qytetarë,
Të mërkurën u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, të lehtësuar nga Përfaqësuesi i Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, si dhe emisarit të tij special evropian, Miroslav Lajçak.
Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë në EEAS pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit nga një grup paramilitar serb, me organizimin, mbështetjen dhe financimin e shtetit të Serbisë. Pas nëntë muajve nga sulmi, kryeterroristi Millan Radoiçiq është ende i lirë në Serbi dhe mbrohet nga Serbia.
Ne nuk mund ta ngjallim heroin tonë, rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, por Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës grupin paramilitar që kreu sulmin terrorist me në Millan Radoiçiq që të të gjithë ata të përballen me drejtësinë në Kosovë.
Është arritur që grupi i terroristëve të identifikuar në sulmin në Banjskë të hyjë në sistemin e urdhërarrestit ndërkombëtar. 39 persona të atij grupi nga 47 të identifikuar qartë, ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar nga Interpoli. Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim.
Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për Marrëveshjen Bazike në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u shpall si ligjërisht e obligueshme nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell. Mbi modelin e asaj ndërmjet dy Gjermanive, njohjes de facto reciproke, siguruam marrëveshje ndërmjet palëve kontraktuese, pra Kosovës dhe Serbisë, që njeh integritetin territorial të shtetit të Kosovës dhe garanton, që palët nuk do sulmojnë njëra-tjetrën. Krejt kjo bazë për fqinjësi të mirë evropiane. Ne e kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që e njëjta të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Mirëbesimi në dialog dhe në zbatim të marrëveshjes, është humbur edhe me letrën që ish-kryeministrja Ana Bërnabiq ka deponuar në 13 dhjetorin e vitit të kaluar te Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian, pasi e lexoi në prani të të gjithë liderëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. E ajo letër thotë, që Serbinë Marrëveshja Bazike nuk e konsideron të pranueshme as në tërësinë e saj e as ligjërisht të obligueshme. Andaj, ajo letër duhet të tërhiqet. Letra e 13 dhjetorit nga ish-kryeministrja Bërnabiq në Bruksel dhe Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit, gjithnjë të vitit të kaluar në Bruksel, janë në kundërthënie themeltare me njëra-tjetrën.
Për të garantuar respektimin e Marrëveshjes në të ardhmen, duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj. Edhe të ketë tërheqje të letrës së znj. Bërnabiq edhe nënshkrim të Marrëveshjes nga z.Vuçiq.
Në tri takime bilaterale sa u zhvilluan të mërkurën, ne paraqitëm këto tri kërkesa të garancisë, që në fakt janë mburojë për vetë Marrëveshjes Bazike, e cila është nën sulm të vazhdueshëm nga Serbisë.
Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm ta respektojë asnjërën. Pra, as të nënshkruaj Marrëveshjen, as të tërheq letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq.
Ne jemi për dialog për normalizim dhe duam normalizim të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë. Kjo bëhet me pranim në tërësi të marrëveshjes të cilën e kemi arritur dhe me zbatim të tërësishëm të saj. Me zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të disa neneve të saj. Nënshkrimi i marrëveshjes do nënkuptojë formalizimin, tërheqja letrës së ish-kryeministres Bërnabiq do të nënkuptojë seriozitet për fillim të zbatimit, kurse dorëzimi i kriminelit Radojçiq dhe grupit të tij paramilitar, do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor.
Hera e parafundit kur u takuam ishte 14 shtatori i vitit të kaluar. Vetëm 10 ditë pas atij takimi ndodhi sulmi në Banjskë. Kësaj here, një ditë pas takimit, Serbia ndaloi mbajtjen e festivalit tradicional, kulturor, “Mirëdita, Dobar Dan”, një festival ky me një histori 10-vjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit e bashkëpunimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia. Në mesin e shfaqjeve në këtë festival, ishte paraparë të jetë edhe shfaqja “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj dhe me regji të Kushtrim Koliqit. Kjo shfaqje, përveçse e jashtëzakonshme për nga skenari dhe performanca e aktorëve, Ilire Vinca, Bujar Ahmeti e Kosovare Krasniqi, është e jashtëzakonshme, sidomos për audiencën në Beograd, edhe për faktin se trajton çështjen e personave të pagjetur dhe të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Një plagë, e cila ende kullon në shoqërinë tonë. E kush do ta besonte, që 35 vjet pas fjalimit famëkeq të Sllobodan Millosheviqit në përvjetorin e të ashtuquajturës “Beteja e Kosovës” në vitin 1989, zëdhënësi i tij, tash ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq do ta nderonte edhe më tej trashëgiminë e mosdurimit dhe armiqësisë së regjimit të tij ndaj Kosovës. Sot, kur Serbia do të duhej të distancohej nga ai fjalim makabër, pikërisht në 35-vjetorin e mbajtjes së tij, e që ishte edhe dëshmi në Tribunalin e Hagës kundër Millosheviqit, ajo po i bënë vepër ato fjalë të tij.
Edhe një herë, edhe në një rast tjetër edhe një formë më shumë, në të cilën Serbia po e shfaqë shovinizmin e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me normalizim, paqe, drejtësi dhe pajtim.
Të dashur qytetarë,
Besimin tuaj e kemi fituar me vendosmëri të treguar për të luftuar krimin dhe korrupsionin, e për t’ia kthyer qytetarëve dinjitetin për të vendosur drejtësi. Andaj, më lejoni që të adresoj edhe një çështje tjetër me shumë interes.
Në këtë qëllim kemi hartuar dhe miratuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme, ashtu siç kemi hartuar e miratuar edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ne seancën e radhës do të votohet në lexim të dytë. Për më shumë prokurorë efikas e të pavarur nga politika, e për një institucion të pavarur që do kthente pasurinë e vjedhur. Të dy këto ligje, si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit, u konsultuan edhe me Komisionin e Venedikut. Komisioni i Venedikut i aprovoi të dy këto, jo vetëm për shkak të qëllimit që kishin, pra luftimin e korrupsionit, por edhe pse siguronin pavarësi në vend të korporatizimit në Këshillin Prokurorial, e dobi publike karshi pasurimit të pabazë, kriminal e individual.
Megjithëkëto, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës rrëzoi që të dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit, ta vonojë reformën tonë. Me 5 vota për, në raport me 4 vota kundër, Gjykata Kushtetuese ka gjetur që Kushtetuta është shkelur me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, duke treguar kështu që Kushtetuta ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve të Kushtetueses, në raport me gjysmën tjetër të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Njëkohësisht, kjo Gjykatë gjen që manipulimi në blerjen e insulinave dhe kësisoj rrezikim të shëndetit publik, nuk është faj i anëtares së OShP-së të shkarkuar nga Kuvendi me propozim të Qeverisë, sepse nuk ishte dëshmuar shkelja e etikës së punës si bazë për shkarkim. E rrezikimi i shëndetit publik dhe manipulimi me tendera milionësh, për Gjykatën Kushtetuese, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe vlerat e saj.
Të dashur qytetarë,
Të nderuar kolegë të qeverisë sonë,
1 vjet e 4 muaj i janë dashur Gjykatës Kushtetuese të sjellë vendimin për Byronë, ende të pa publikuar e të paqartë. Uroj që nuk do i duhen edhe katër muaj të tjerë që ta publikojë Aktgjykimin. Ndërkohë, kërkoj nga Ministria e Drejtësisë, që menjëherë të fillojë me ndryshimet dhe të procedojë me urgjencë në Qeveri. Drejtësia duhet të bëhet. Drejtësi duhet të ketë. Drejtësi do të ketë.