Sëmundjet infektive të qenve endacakë dhe të pavaksinuar që mund të transmetohen te njeriu janë shumë të rrezikshme, sepse shpesh mund të shkaktojnë dhe vdekjen.
Njëra nga këto sëmundje është dhe tërbimi. Kjo sëmundje, sipas specialistëve, është shumë e pranishme në vendet e Evropës dhe kur prek qenin i dëmton atij sistemin nervor qendror. Nëse infektohet me këtë sëmundje, qeni bëhet agresiv dhe paraqet sindromën klasike të “qenit të çmendur”. Në disa qen vërehet një ulërimë e pakuptueshme.
Tërbimi është sëmundje vdekjeprurëse, të cilën e bartin qentë e infektuar (54%), macet, shpezët dhe lakuriqët. Sëmundja më së shpeshti bartet me anë të kafshimit të kafshës së infektuar, edhe pse në disa raste bartja e virusit është e mundur edhe vetëm me prekjen e pështymës së infektuar, e cila është infektuese dhjetë ditë para se të fillojnë simptomat e sëmundjes.
Njerëzit, të cilët kafshohen nga kafshët që kanë shenja tërbimi nuk duhet të humbasin asnjë minutë, por të paraqiten menjëherë te autoritetet shëndetësore sepse çdo neglizhencë mund të jetë vdekjeprurës. Rrezikshmëria është më e madhe, sidomos kur kafshimi kryhet në kokë ose në qafë.
Sëmundje të tjera infektive dhe në të njëjtën kohë fatale për qentë dhe për njerëzit janë: lia e qenve, rrufa, hepatiti infektiv (CAV-1), me këtë virus preken të gjithë qentë e pavaksinuar, parvoviroza e qenit (CPV-2), një nga viruset më të rrezikshme sepse përhapet në ajër, leptospiroza ose “sëmundja e miut”, kjo sëmundje prek dhe kafshë të tjera dhe është po ashtu ngjitëse, gastroenteriti koronaviral i qenit (CCV), kjo sëmundje është masivisht e përhapur në çdo vend të botës, infeksioni herpesviral dhe trakeobronkiti i qenve.
Këto dy sëmundje përhapen shpejt, menjëherë mbas kontaktit të afërt me qentë. Qentë janë mbartës edhe të sëmundjes së ekinokokut, varicelës, zgjebes, alergjisë, tokoplamozës e lloje të tjera sëmundjesh, që mund të shkaktojnë edhe viktima nga kafshimi i tyre.
Mjekët veterinerë thonë se mënyrat e transmetimit të sëmundjes nga qeni tek njeriu janë disa. Këtu përfshihet transmetimi nëpërmjet kafshimit nga kafsha e infektuar kur virusi gjendet në sekrecionet e pështymës. Virusi mund të transmetohet edhe nëpërmjet ajrit kur sëmundja është me rrufë ose me kollë, transmetimi ndodh edhe kur prek qenin me lëkurë të infektuar ose nëpërmjet pështymës së qenve.
Sëmundjet infektive të këtyre kafshëve merren edhe nga qëndrimi afër fekaleve të qenve apo erës së tyre. Rrezik transmetimi përbën dhe kontakti i afër me qentë e infektuar, lëpirja e tyre apo qëndrimi për një kohë të gjatë në të njëjtin ambient me ta.
Mjekët veterinerë këshillojnë që të evitohen në maksimum qentë endacakë dhe vendet ku këtë qen qëndrojnë më shpesh, për të mos u rrezikuar nga sëmundjet që përmendëm më sipër dhe në mënyrë të domosdoshme të vaksinohen rregullisht kafshët shtëpiake.
Specialistët, kundërshtojnë mendimin shkencor të pranuar më herët se jeta me macet ose qentë gjatë fëmijërisë nuk vepron në zhvillimin e astmës në jetën e mëvonshme.
Studimet tregojnë se në fakt ndodh e kundërta: foshnjat deri në gjashtë muajt e parë të jetës shumë më shpesh zhvillojnë sensibilizim ndaj antigjenëve të kafshëve (qen ose mace), në krahasim me ata të cilët kanë qenë të izoluar nga kontakti me to. Për këtë arsye prindërve u rekomandohet që të mos i lënë fëmijët e vegjël në kontakt me kafshët shtëpiake. Toksoplazmoza paraqet rrezik shumë të madh, pasi që bëhet fjalë për zoonozën (sëmundje që vjen nga kafshët) më të përhapur në botë.
Te shtatzënat që janë prekur më herët me sëmundjen e toksoplazmozës, (sëmundje që vjen nga kafshët), akute dhe pa e mjekuar në kohë është paraqitur infeksioni i fetusit te 25% e rasteve, që ka rezultuar me abortim spontan, vdekjen e fëmijës së pa lindur ose paraqitjen e ndonjë sëmundje të rëndë te i porsalinduri. Kafshët e përkëdhelura shtëpiake shpesh janë bartës të rriqrave dhe pleshtave, me të gjitha rreziqet që pasojnë nga këto insekte.
Këshilla për pronarët e kafshëve shtëpiake:
1. Vaksinoni rregullisht kafshët tuaja
2. Rregullisht kontrolloni nëse qeni ose macja juaj ka ndonjë rriqër dhe nëse e vëreni largojeni atë
3. Kërkoni rekomandimet e veterinarit si të veproni me kafshën tuaj
4. Nëse e vëreni se kafsha juaj sillet në mënyrë të pazakontë dërgojeni menjëherë te veterineri
5. Gjithmonë mbani preparate kundër pleshtave dhe insekteve të tjera
6. Mos sillni në shtëpinë tuaj kafshë të përkëdhelura nëse keni fëmijë të vegjël
7. Femrat shtatzëna duhet të kenë kujdes të veçantë
8. Rregullisht lani duart pas kontaktit me kafshën tuaj, si dhe pas pastrimit të jashtë qitjes së tyre
9. Mos lejoni që qeni juaj të qëndrojë me qentë shëtitës
10. Rregullisht pastrojeni shtëpinë nga qimet dhe kontrolloni mos ka jashtëqitje apo urinë të kafshës suaj në ndonjë skaj të fshehur të shtëpisë.