Një aeroplan ushtarak është rrëzuar sot në territorin e bazës ajrore amerikane Spangdahlem, në perëndim të Gjermanisë, ndërsa sipas informacioneve të para, një person ka mbetur i lënduar.
Aksidenti ka ndodhur në zonën e Eifelit, në landin Renania-Palatinat. Pas incidentit, në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet e mbrojtjes civile nga distrikti Bitburg-Prüm.
Autoritetet lokale kanë konfirmuar aksidentin, por deri më tani nuk kanë dhënë detaje për rrethanat e tij.
“Për momentin nuk mund të japim asnjë informacion rreth rrjedhës së aksidentit apo detajeve të tjera të ngjarjes”, njoftuan autoritetet lokale.
Forcat Ajrore të SHBA-së ende nuk kanë publikuar informacione shtesë lidhur me incidentin. Po ashtu, nuk është bërë e ditur zyrtarisht se çfarë lloji i aeroplanit ushtarak është rrëzuar dhe as shkaku i aksidentit.
Në bazën ajrore Spangdahlem është e stacionuar një skuadrilje me rreth 20 aeroplanë luftarakë F-16. Skuadrilja merr pjesë në mbështetjen e operacioneve të Forcave Ajrore amerikane dhe NATO-s në mbarë botën dhe përbën një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve të bazës.
Në bazë punojnë rreth 5 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak dhe civil, ndërsa aty jetojnë edhe familjet e tyre. Baza amerikane punëson gjithashtu rreth 700 deri në 800 shtetas gjermanë.
Spangdahlem ka qenë edhe më herët në qendër të incidenteve të ngjashme. Në tetor të vitit 2019, një aeroplan F-16 i Forcave Ajrore amerikane u rrëzua gjatë një fluturimi rutinë stërvitor në një pyll pranë Zemmer-Rodt, jo larg bazës. Piloti arriti të katapultohej dhe pësoi lëndime të lehta.
Forcat Ajrore amerikane janë të pranishme në Spangdahlem që nga mesi i viteve 1950. Së bashku me bazën Ramstein, pranë Kaiserslauternit, Spangdahlem konsiderohet një nga bazat më të rëndësishme ajrore ushtarake amerikane në Gjermani.