Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë njoftoi se një pilot vdiq të mërkurën pas rrëzimit të një aeroplani ushtarak që po e drejtonte.
“Një aeroplan i tipit NF-5, që i përkiste Forcave tona Ajrore dhe që ishte në fluturim trajnues në Konya, pësoi aksident në orën 14 e 14 minuta për një arsye të panjohur”, thuhet në një postim të kësaj ministrie në Twitter.
Ministria njoftoi se për këtë rast kanë filluar hetimet, ndërsa aeroplani i rrëzuar ishte pjesë e grupit “Yjet Turke”, që merret me demonstrime aerobatike të Forcave Ajrore të Turqisë, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Sipas burimeve lokale, ekipet e emergjencës shkuan në vendin e rrëzimit të aeroplanit pas aksidentit që ndodhi në distriktin Karatay, në pjesën qendrore të Turqisë.
Pas aksidentit, presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, përmes një postimi në Twitter u lut që mëshira e Zotit të jetë mbi pilotin e vdekur dhe i shprehu ngushëllime familjes së tij.
Në mesin e figurave të larta që i shprehën ngushëllime familjes ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu, dhe kryetari i partisë më të madhe opozitare në Turqi, CHP, Kemal Kilicdaroglu.