Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka dënuar dhunën që është ushtruar ndaj një vajze në Ratkoc të Rahovecit.
Dhuna, siç kanë raportuar mediat, mendohet të jetë shkaktuar nga xhaxhai i vajzës, i cili së bashku me dy persona të tjerë godisnin dhe zvarrisnin vajzën pranë grilave të oborrit të shkollës së mesme “12 maji” në fshatin Ratkoc, të Komunës së Rahovecit.
“Dhuna në familje vazhdon të jetë shumë e shprehur në shoqërinë Kosovare. Sipas hulumtimit të RrGGK ‘Mjaft më me arsyetime’ të publikuar në vitin 2015, del se dhuna dukshëm është më e shprehur ndaj të rinjve, ku rreth 72.3% e të rinjve dhe të rejave në Kosovë të grup-moshave 18-25 kanë përjetuar dhunë në familje ndonjëherë. Për më tepër, 54.7% e kosovarëve besojnë se ‘vajzat kanë nevojë për më shumë disiplinë sesa djemtë në mënyrë që ato të kenë moral të fortë’”, thuhet në reagimin e RrGGK-së.
“Më tutje, RrGGK kërkon që rasti i kësaj vajze të trajtohet me seriozitetin e duhur nga institucionet përkatëse, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij. Gjithashtu, RrGGK inkurajon qytetarët që janë dëshmitarë të këtyre krimeve, të ngritin zërin dhe t’u dalin në ndihmë viktimave të dhunës në familje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/