Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin me vendimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të falur një të njohur të tij, respektivisht, dhëndrin e axhës së tij, i cili në vitin 2008 kishte kryer dy vrasje dhe konsideron se falja e ushtruar si e drejtë e shefit të shtetit nuk ka respektuar institucionin e faljes si institucion i përkufizuar sipas ligjit.
Duke përkujtuar se Ligji për Falje i Kosovës thotë se “rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në peshën e krimit, Rrjeti i Grave të Kosovës ngrit shqetësimin në lidhje me atë se cilat kritere janë marrë për bazë në rast të faljes nga mbajtja e dënimit të burgut të këtij personi, trasnmeton kp.
“Fakti që presidenti dhe i faluri, kanë lidhje familjare, po ashtu paraqet një shqetësim për RrGK-në, pasi që ky mund të jetë një mesazh dekurajues për të burgosurit dhe të burgosurat, por edhe për të gjithë shoqërinë”, thuhet në reagim.
RrGK e konsideron pozitiv faktin që qytetarëve dhe qytetarëve që kanë kryer vepra penale, t’u jepet mundësia e faljes nga mbajtja e dënimit të burgut ashtu siç parasheh Ligji për Faljen, por edhe në këto raste, duhet të jenë të vëmendshëm se cilat raste po falen, dhe çfarë mesazhi i dërgohet shoqërisë me këto falje.