RrGK kërkon dënim maksimal për vrasjen e gruas nga bashkëshorti në Llaushë

Prishtinë | 05 Jan 2022 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka përcjellë raportimin e bërë sot nga mediat lidhur me vrasjen e gruas me inicialet L.Q., 48 vjeçare nga bashkëshorti i saj S.Q,.51 vjeçar, në Llaushë të Skenderajt.

Duke parë se rastet e vrasjes së grave nga burrat e tyre janë në rritje, RrGK kërkon nga institucionet që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet të shtuar nga të gjitha organet e drejtësisë si Policia, Prokuroria dhe Gjykatat.

“Ky rast vetëm se na shpërfaq e na rikujton edhe njëherë mangësitë institucionale në trajtimin e duhur të vrasjeve të grave dhe femicidit. Edhe një grua vdiq në vendin në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të dënimeve dhe me dënime të ulëta. Prandaj, RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit. Vrasjet e një pas njëshme tregojnë se veprimet dhe vendimet e organeve të drejtësisë nuk janë duke ndikuar në parandalimin e vrasjeve të grave dhe këto veprime e vendime vetëm sa po i motivojnë edhe më shumë dhunuesit, kurse po demotivojnë gratë dhe vajzat për të kërkuar drejtësi e për të raportuar rastet e dhunës”, thuhet në komunikatën e RrGK-së.

RrGK përsërit thirrjen ndaj institucioneve përgjegjëse të drejtësisë si Gjykatat, Prokuroria, dhe Policia e Kosovës, që t’i trajtojnë me priroritet rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke pasur gjithnjë në qendër qasjen e bazuar në viktimën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme