Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përmes një komunikate për media kanë thënë që vrasja dhe dhuna ndaj grave, po vazhdojnë të mos marrin dënimin e merituar nga institucionet tona të drejtësisë.
Madje sipas tyre, kjo edhe pse janë bërë të gjitha ndryshimet në kornizën ligjore, e së fundi, gjatë vitit 2020 edhe futja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës, e cila kërkon dënime meritore për ushtruesit e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Lexoni më poshtë komunikatën e plotë:
Vrasja dhe dhuna ndaj grave po vazhdojnë të mos marrin dënimin e merituar nga institucionet tona të drejtësisë. Madje, kjo edhe pse janë bërë të gjitha ndryshimet në kornizën ligjore, e së fundi, gjatë vitit 2020 edhe futja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës, e cila kërkon dënime meritore për ushtruesit e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Kosova ende po dështon të ndëshkojë vrasësit e grave. Së fundi, më 3 shkurt 2021, Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 15 vjet burgim Ilir Haxhiajn, i cili në vitin 2019 e rrahu dhe e vrau bashkëshorten e tij, Hatije Dinën. Ai u dënua për veprën “lëndim i rëndë trupor”.
Për ta kundërshtuar këtë vendim, dhe për t’i ‘rikujtuar’ Gjykatës Themelore të Prizrenit se ky “lëndim trupor” i mori jetën Hatije Dinës, nën organizimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, dhjetra aktivistë protestuan sot me fillim nga ora 12:00, para Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Duke përkrahur këtë protestë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) vlerëson se klasifikimi dhe dënimi i Ilir Haxhiajt me veprën “Lëndim i Rëndë Trupor” është krejtësisht i padrejtë dhe në kundërshtim me kornizën ligjore në vend.
Presim që zëri i këtyre aktivistëve që protestuan sot, të arrijë te Gjykata e Apelit, në mënyrë që ata ta shpallin të pavlefshëm këtë dënim të dhënë nga Gjykata Themelore në Prizren.
Gjithashtu, RrGK përmes kësaj kumtese njofton se do të monitorojë për së afërmi ecurinë e këtij procesi gjyqësor.
Drejtësi për gratë e vrara! Drejtësi për secilën grua të vrarë!