Ankesat e konsumatorëve për tregun e komunikimeve elektronike dhe të operatorëve kabllorë janë gjithnjë e në rritje. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), me temën “Konsumatorët në tregun e telekomunikimeve”, raporton Ekonomia Online.
Dren Abazi nga INDEP tha se në platformën “Mbrojtësit e Konsumatorëve” vetëm gjatë vitit 2022, janë pranuar mbi 241 ankesa për tregun e komunikimeve elektronike.
“Në një situatë të tillë, konsumatorët kërkojnë përgjigje për një numër të konsiderueshëm të shqetësimeve në tregun e shërbimeve audio-vizuele dhe të internetit. Konsumatori i sotëm përballet me një gamë të gjerë shërbimesh audio-vizuale dhe interneti që ofrohen në treg”, thotë Abazi.
Këto shërbime sipas Abazit u mundësojnë konsumatorëve t’i qasen shërbimeve që u nevojiten në çdo kohë dhe nga kudo.
Megjithatë ai konsideron se të drejtat e konsumatorëve duhet të respektohen në mënyrë që të sigurohet që shërbimet audio-vizuale dhe shërbimet e internetit të përmbushin pritshmëritë e konsumatorëve dhe të ofrohen në mënyrë të drejtë nga ofruesit e shërbimeve.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, njëherësh anëtari i Komisionit për Ekonomi që e mbikëqyr këtë Ligj, tha se i njëjti duhet të ndryshojë.
Sipas tij, me këto ndryshime që po bëhen, infrastruktura ligjore do të jetë në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Meqë jemi në fazën përmbyllëse të mbikëqyrjes së ligjit për komunikime elektronike, unë do të i’u njoftoja që edhe në takim me ministren Rizvanolli si Komision për Ekonomi kemi diskutuar çështjen e zbatueshmërisë së Ligjit i cili është aprovuar 10 vite më parë, ligj i cili nga të gjitha palët e interesit janë të detyruara që ta zbatojnë ato që i parasheh ligji, mirëpo janë vërejtur nevoja për amandamentime apo ndryshim të ligjit, me qëllim që fusha e telekomunikimeve, pjesa e infrastrukturës ligjore të jetë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.
Anëtarja e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Lule Ahmedi, tha se qëllim kanë mbrojtjen e konsumatorëve, përmes inspektimeve të tregut, raporton EO.
“Natyrisht se si ARKEP ne jemi përgjegjës për t’i eksploruar të gjitha parimet ligjore që kanë të bëjnë me përdorues të shërbimeve të telekomunikimeve dhe të fushës postare. Ne i kemi katër objektiva: e para quhet konsumatori në qendër, e cila ka për qëllim t’i ngritë kapacitetet për mbrojtjen e konsumatorëve por paralelisht duke i inspektuar edhe tregun”.
“Në lidhje me këtë aktivitet në kuadër të planit të punës që ne e publikojmë vit për vit, dhe në kuadër të planit për vitin e ardhshëm, një ndër fokuset e Autoritetit është që të promovohen të drejtat e konsumatorëve në lidhje me shfrytëzimin e kësaj fushe”, tha ajo.
Faruk Rexhaj nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), tregoi për ankesat që si KPM i kanë trajtuar gjatë kësaj kohe.
“Në kuadër të licencimit të ofruesve të shërbimeve, padyshim se vend të rëndësishëm kanë edhe konsumatorët e shërbimeve mediale. KPM përmes kritereve dhe obligimeve të operatorëve të shpërndarjes apo të operatorëve kabllor, ka siguruar në masë të madhe mbrojtjen e konsumatorëve. Operatorët apo shpërndarësit janë të obliguar që të ofrojnë shërbime cilësore për konsumatorët dhe t’i njoftojnë konsumatorët për çdo ndryshim që ndodh në listën e kanaleve”.
“Një prej pikave që është e përcaktuar në rregullore është se operatorët e shpërndarjes apo operatorët kabllor janë të obliguar që të kenë marrëveshje me konsumatorët për shërbimet e ofruara dhe ato të jenë sa më cilësore. Poashtu, ndërprerja e çdo kanali, operatorët janë të obliguar që konsumatorët të jenë të informuar 30 ditë më herët për çdo ndryshim”, tha Rexhaj.