Rriten kërkesat për regjistrim të pronës në emër të të dy bashkëshortëve

Prishtinë | 20 Kor 2020 | 21:21 | Nga Ekonomia Online

Shumë fushata e iniciativa janë ndërmarrë në Kosovë gjatë viteve të fundit, me qëllim të vetëdijesimit të grave dhe vajzave për të drejtën e tyre në trashëgimi.

Që nga viti 2016, Qeveria e Kosovës ka miratuar udhëzimin për masat e veçanta të regjistrimit të pronës në emër të përbashkët, raporton KOHA.

Udhëzimi kërkon pëlqimin dhe nënshkrimin e dy bashkëshortëve kur ekzekutohen transaksione të blerjes apo shitjes nga pasuria e përbashkët.

Ndonëse noterët kanë mendime të ndryshme nëse është zgjidhja më e mirë juridike, thonë se në praktikë ka pasur ndikim në rritjen e vetëdijesimit në regjistrimin e pasurisë së paluajtshme në emër të të dy bashkëshortëve.

Në zyrën e tij të noterisë, Sefadin Blakaj thotë se ka rritje të kërkesave për regjistrim të pronës në emër të përbashkët.

Ai përmend lirimin nga taksa kadastrale, që komunat pothuajse në tërë vendin e zbatojnë kur pronat regjistrohen në emër të përbashkët.

Por, Blakaj, gjatë punës së përditshme, ka vërejtur dallime në rastet që vijnë nga zonat rurale dhe urbane.

Sipas tij, rastet më të shpeshta kur bashkëshortët vendosin që pronën ta regjistrojnë në emër të përbashkët janë ato për pronat banesore dhe komerciale.

Derisa ndryshe qëndron për parcelat në zonat rurale, ku, sipas tij, ende vazhdon të ndikojë tradita që trashëgimtarë konsiderohen vetëm burrat.

Para hyrjes ne fuqi te Udhëzimit Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, sipas të dhënave nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, kanë qenë 104 raste te regjistruara, ndërsa pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi deri në vitin 2019 janë 5496 raste.

Regjistrimi i pronës në emër të të dy bashkëshortëve

Vitet: 2016-2019

Gjithsej: 5496 raste

Statistikat për pronarët të ndarë sipas gjinisë:

Gra: 97,319 (17,59 %)

Meshkuj: 445,140 (80,44 %)

Statistikat për pronarët të ndarë sipas gjinisë kemi MESHKUJ- 445,140 (80,44 %) dhe FEMRA- 97,319 (17,59 %).

Të ngjashme