Përdoruesit e Facebook janë rritur ndjeshëm pavarësisht një serie me skandale nga vjedhja e të dhënave private të përdoruesve. Raportohet se numri i personave që kanë hyrë në platformë të paktën një herë në muaj, është rritur me 9 % vitin e shkuar, duke shkuar në 2.32 miliardë njerëz. Frika se skandalet me të cilat Facebook është përballur mund të largojnë reklamat, po ashtu ka rezultuar e pabazë me të ardhurat që janë rritur me 30 për qind vitin e shkuar.
Kjo rritje vjen pavarësisht fushatave që i kërkojnë përdoruesve të heqin dorë nga rrjeti social. Themeluesi Mark Zuckenberg tha se kompania kishte ndryshuar rrënjësisht mënyrën e menaxhimit duke u fokusuar tek çështjet e mëdha sociale.
Performanca e mirë financiare vjen në mesin e shqetësimeve se si kompania ka menaxhuar të dhënat personale të përdoruesve dhe privatësinë e tyre pas skandalit të ndarjes së të dhënave me Cambridge Analytica dhe frikës se rrjeti është përdorur si një vegël politike.
Aksionet e kompanisë humbën jo pak në korrik, kur u paralajmërua për një rritje të ngadalësuar, por u rritën me 9 % pasi fitimet kapërcyen parashikimet e analistëve. Fitimi total i Facebook për 2018 ishte 22.1 miliardë dollarë, 39 për qind më shumë krahasuar me 2017. Numri i përdoruesve është rritur veçanërisht shumë në Indi, Indonezi dhe Filipine, por ka qëndruar në të njëjtat nivele në SHBA dhe Kanada.