Janë rritur rastet e infeksionet nga zgjebja në Shqipëri. Alarmi u dha nga dermatologia Violeta Dajçi, sipas të cilës nuk ka ditë që dermatologët mos të hasin pacientë me këtë lloj infeksioni.
Mjekja theksoi se mutacioni i ri i këtij infeksioni prek edhe më të pastrit, ndërsa apeloi për kujdes të shtuar, raporton A2CNN.
“Ka raste të shtuara të zgjebes. nuk ka ditë që dermatologët të mos hasen me pacientë të infektuar nga ky lloj paraziti. Është parazit që përhapet me shpejtësi nëpërmjet kontaktit, duke dhënë dorën duke u përqafuar. Përhapet shumë lehtë dhe më shpesh me personat që kemi më shumë kontakt. Kujdesi është që kur je në ambient me persona të infektuar të kesh kujdes të shtuar për mbrojtjen tënde, të dezinfektosh më shpesh duart, ose kur e di që e ke këtë parazit duhet ti të ruash të tjerët. Kur kjo përhapet në rreth familjar mund të ndodhë që të përhapet dhe të ndodhë rreth vicioz. Nuk ka moshë, apo seks të përzgjedhur. Nuk është më tek njerëzit e papastër, përhapet në ata që kanë higjienë më të shtuar. Nuk është si më përpara që e mjekoje në familjarë dhe bëje pauzë ose largohej. Tani ndodh që në të njëjtën familje nuk e kanë të gjithë personat”, tha mjekja.
Dermatologia theksoi se mutacioni i ri zgjebes nuk mjekohet aq lehtë si më përpara dhe jo gjithmonë funksionon mjekimi familjar. Sipas saj rastet më të shpeshta kanë ardhur nga jashtë.
“Ky lloj parazitit apo variant i ri që ka hyrë në Shqipëri nuk është si më parë; zgjedh tipin e lëkurës ku i pëlqen të banojë dhe nuk është në familjarët e tjerë. Por nuk mjekohet aq lehtë si më përpara, është më e vështirë. Ne japim mjekim familjar. por jo gjithmonë funksionon. Si mjeke me eksperiencë kam kontraktuar shumë raste nga pacientë që vinin nga jashtë Anglia, Spanja e Italia. Nga këto vende është pjesa më e madhe që e thonë”, theksoi Dajçi.
Një nga shenjat karakteristike të zgjebes, sipas dermatologes është kruajtja sidomos natën kur trupi bie në qetësi. Ajo bën apel që nëse vënë re këto shenja t’i drejtohen mjekut dhe këshillon që përveç higjienës, dielli dhe hekuri e mbysin këtë sëmundje.
Zgjebja sipas dermatologes nuk hyn te sëmundjet e rrezikshme, por krijon psikoza të tmerrshme, ka mundësi të kthehet në kronike, nuk ka imunitet dhe kohëzgjatja është e papërcaktuar.