Çmimet e produkteve bazë për familjet kanë shënuar rritje këtë nëntor. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për rritje të çmimit të produkteve nga mielli, mishi, pemët dhe disa ushqime të tjera.
Sipas statistikave, buka dhe drithërat kanë pësuar rritje të çmimit në 2.9 për qind, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët 1.2 për qind.
Te pemët janë rritur çmimet për 12.8 për qind, që sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, ka ndodhur për shkak se shumica e tyre importohen.
Mirëpo, këto përqindje të paraqitura i quajnë tejet të vogla mbrojtësit e konsumatorit, të cilët thonë se në realitet çmimet e produkteve bazike janë edhe më të mëdha, ndërkaq rrogat vazhdojnë të mbesin të njëjta.
Me të dhënat e ASK-së nuk po pajtohen drejtuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës. Madje, sipas tyre, mullinjtë janë duke punuar me humbje. Ata që në fund po e paguajnë koston janë qytetarët, të cilët ankohen duke thënë se as vetë nuk e dinë se si po ia dalin ta përmbyllin muajin.
Sidoqoftë, konsumatorët dhe mbrojtësit e tyre thonë se krejt kjo situatë është krijuar si pasojë e moskontrollit institucional të tregut në vendin tonë.
Para disa viteve, qeveria mori vendim për uljen e TVSH-së, për një numër produktesh esenciale për shportën e konsumatorit, por një vendim i tillë nuk reflektoi në çmim sepse kështu vendosën tregtarët.