Papunësia po rritet. E bashkë me të edhe çmimet e produkteve ushqimore. Kështu po tregojnë të dhënat e nxjerra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Shkalla e papunësisë në Kosovë, bazuar në matjet e ASK-së, vetëm për tre mujorin e parë të këtij viti ka dalur të jetë 30.5 përqind.
ASK në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve ka bërë një krahasim të disa prej produkteve ushqimore në qershor të 2016-tës, me majin e qershorin e këtij viti.
1 kilogram mish viçi në qershor të vitit të kaluar ka pasur çmimin mesatar prej 7.23 euro. Derisa në qershor të 2017-tës, ky çmim ka shënuar rritje në 7.47 euro.
Rritje të njejtë ka pasur edhe me mishin e pulës. Në qershor të 2016-tës 1kg mish pule është shitur me një çmim mesatar prej 2.58 eurosh. Ndryshe në qershor të 2017-tës i njëjti produkt ka kushtuar 2.62 euro.
E njëjta ngritje çmimesh është parë edhe tek pemët e perimet. 1 kg banane në qershor të 2016-tës ka kushtuar 1.20 euro. Me të njëjtin çmim qytetarët nuk kanë mundur të blejnë në qershor të këtij viti. Pasi çmimi është rritur për 7 centë.
1 kg domate në qershor të vitit të kaluar ka kushtuar 66 cent, derisa në qershor të këtij viti i njëjti produkt ka pasur çmimin mesatar prej 76 centësh.
Ushqimet që kosovarët konsumojnë gati më së shumti, shihet ta kenë pësuar këtë rritje. 1 kg fasule në qershor të vitit të kaluar ka pasur një çmim mesatar prej 2.18 euro, derisa në qershor të këtij viti 2.33.
Bazuar gjithëherë matjeve që ASK ka bërë për çmimet mesatare në produktet ushqimore shihet se edhe sheqeri ka shënuar ngritje në çmim. Çmimi në qershor të 2016-tës për 1 kg sheqer ka qenë 0.78 cent, derisa në qershor të këtij viti ka kushtuar 90 cent.
Edhe produkti bazik për nevojat elementare uji ka shënuar një ngritje prej 2 centësh. Keq me çmime e kanë pësuar edhe konsumuesit e duhanit.
1 pako cigare marlboro, në qershor të 2016-tës kushtonte 2.40 euro, në qershor të 2017-tës ky produkt u rrit për 10 centë.
Njësoj ka ndodhur edhe me derivatet për vetura. 1 litër benzin në qershor të 2016-tës ka kushtuar 99 centë , ndryshe i njëjti në qershor të këtij viti është rritur në 1 euro e 5 centë.
Këto të dhëna të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, janë marrë si çmime mesatare në euro për disa artikuj për muajin qershor të këtij viti dhe të vitit të kaluar.