Rajoni i Italisë që është më së shumti i goditur nga koronavirusi ka shënuar një rënie të madhe të numrit të vdekjeve dhe infeksioneve, por janë rritur shqetësimet se jugu i vendit mund të bëhet pika e nxehtë e ardhshme.
Shifrat e fundit nga rajoni verior i Lombardisë sugjerojnë se epidemia mund të jetë duke u ngadalësuar në epiqendrën e saj.
Por, pjesët më të varfra jugore po përjetojnë një rritje të shpejtë të vdekjeve, duke rritur kështu frikën se sistemi shëndetësor mund të mposhtet.
Italia ka raportuar 7503 vdekje nga koronavirusi dhe 74,386 raste të konfirmuara, transmeton Klan Kosova.
Rritja prej 7.5 për qind e infeksioneve të reja të mërkurën ishte më e ulëta që nga fillimi i shpërthimit të Covid-19 në Itali – që është shteti më i prekur në Europë dhe ku pothuajse gjithçka është mbyllur për më shumë se dy javë dhe njerëzve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Hans Kluge, drejtori rajonal i Europës në Organizatën Botërore të Shëndetit, tha që numrat janë një “shenjë inkurajuese”, por paralajmëroi se është shumë herët për të thënë nëse ka kaluar më e keqja.