Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin tetor të vitit 2018.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit prej muajit janar 2016 publikohet me vitin bazë 2015=100
Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.2% në tetor 2018.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë për 0.2% në muajin tetor 2018, krahasuar me muajin shtator 2018. Kjo, kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.7%); mish (1.3%); perime (2.0%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (1.1%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djath dhe vezë (-1.3%); pemë (-9.0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2%) në IHÇK.
Ndërsa, shkalla vjetore e inflacionit ishte 1.5%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë për 1.5% në muajin tetor 2018, krahasuar me muajin tetor 2017. Kjo, kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.2%); mish (4.6%); perime (10.7%); pije alkoolike (3.6%); duhan (2.8%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (11.4%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës); shërbimet për transport (5.8%)-(ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror); shërbime hoteliere (2.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.2 për qind në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-11.7%); sheqer dhe ëmbëlsira (-7.0%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perime (-1.1%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-6.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.7%) në IHÇK.
Për më shumë informata lidhur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin tetor 2018, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves /ekonomi/cmimet