Rritet mbikëqyrja publike, kërkohet llogaridhënie institucionale

Prishtinë | 25 Mar 2025 | 09:59 | Nga Gzim Mujaj

CorrWatch, nismë e konsorciumit të përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kanë mbajtur Konferencën e Tretë Vjetore me temë “Rritja e Mbikëqyrjes Publike dhe Llogaridhënies Institucionale në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Në publikim të këtij raporti u tha se edhe këtë vit si vitet e kaluara është numër i lartë i ushtruesve të detyrës U.D, por sipas raportit, këtë vit është një numër më i vogël me U.D të sekretarëve në ministri.

Arbëresha Loxha- Stublla, drejtoreshë Ekzekutive e GLPS-së, ka thënë se një nga sfidat kryesore të këtij viti ka qenë moslejimi i monitorimit nga disa institucione në rekrutim.

 “Kjo Konferencë Vjetore ka për qëllim të shpalos rezultatet dhe sfidat e identifikuara gjatë monitorimit njëvjeçar (shkurt 2024 – shkurt 2025), në fushat të cilat i mbulon iniciativa CorrWatch, siç janë rekrutimi në sektorin publik, prokurimi publik, shpërndarja e granteve dhe subvencioneve, dhënia e lejeve, licencave dhe tarifave si dhe performanca dhe menaxhimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë. Një ndër sfidat kryesore që ka karakterizuar këtë vit ka qenë mungesa e transparencës apo moslejimi i monitorimit nga disa institucione në komponenta të ndryshme. Vlen të ceket Ministria e Financave në rekrutim të disa pozitave, MINT gjithashtu, KPMM dhe Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, e njëjta në monitorim të proceseve dhe në leje në dy komponente”, ka thënë Arbëresha Loxha- Stublla.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se luftimi i korrupsionit është një kërkesë kyçe në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Ai tha se shoqëria civile po hedh dritë mbi keqpërdorimin e fondeve publike, duke u përputhur me rekomandimet e BE-së për Kosovën për të forcuar transparencën financiare dhe masat kundër korrupsionit.

“Luftimi i korrupsionit nuk është vetëm gjëja e duhur për vendin. Është gjithashtu, siç e dini të gjithë, një kërkesë kyçe në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, një rrugëtim që, siç na thuhet rregullisht, 92% e popullit të Kosovës dëshiron ta përfundojë. Falë shumë prej jush, Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Dhe CoreWatch ka luajtur një rol kryesor në këtë proces. Me bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të tjerëve, më shumë institucione po miratojnë rekrutimin mbi bazën e meritës, një kërkesë kryesore e reformave të BE-së për administratën publike”.

“Shoqëria civile po hedh dritë mbi keqpërdorimin e fondeve publike, duke u përputhur me rekomandimet e BE-së për Kosovën për të forcuar transparencën financiare dhe masat kundër korrupsionit. BE-ja e ka bërë të qartë se për të avancuar në procesin e anëtarësimit, Kosova duhet të sigurojë hetime të pavarura, të ndjekë penalisht rastet e korrupsionit në nivele të larta dhe të zbatojë plotësisht reformat gjyqësore që janë në proces”, ka thënë ai.

Ema Pula, hulumtuese në GLPS, e cila prezentoi të gjeturat e raportit, ka thënë se këtë vit numri i pozitave të monitoruara këtë vit është më i madh. Sipas saj, e para është numri i lartë i ushtruesve të detyrës.

Ajo ka thënë se Prokurimi publik vazhdon të mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit, me planifikim të dobët, joreal, me neglizhencë të qëllimshme dhe menaxhim të dobët të kontratave.

“Numri i pozitave të monitoruara këtë vit është më i madh. E, pra është numri i lartë i ushtruesve të detyrës. Tashmë kemi një numër më të vogël të U.D.  Kur flasim për sekretarë në ministri tashmë janë vetëm dy sekretarë U.D. në dy ministri. Prokurimi publik vazhdon të mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit. Të dhënat e monitorimit tregojnë se përgjatë kësaj periudhe kemi pasur planifikim të dobët, ambicioz nga të gjitha institucionet. Korniza legjislative mbetet ende e papërmirësuar as këtë vit. Të grantet dhe subvencionet jemi fokusuar në MKRS dhe MBPZHR. Nuk jemi lejuar që të monitorojmë mbledhjet e bordit të TERMOKOS dhe KEK”, ka thënë Ema Pula.

Të ngjashme