Kleri fetar në Ferizaj u mblodh sot në ambientet e Zyrës së Kryetarit të Komunës. Ishte ftesa e këtij të fundit, që ftoi drejtuesit e bashkësive fetare në Ferizaj për t’i kumtuar lajmin dhe nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit dhe Financimit, që ka si rrjedhojë rritjen e buxhetit për shpenzimet e varrimit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu po përmbush edhe një zotim dhënë para qytetarëve dhe klerit fetar, ku pati deklaruar se do të shtoj buxhetin për shpenzimet e varrimit, çka përfundimisht krijon një standard të ri, lehtësim për familjet e të ndjerëve dhe dinjitet e përkujdes shtetëror për të vdekurit dhe familjet e tyre.
Për këtë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili dhe klerin fetar, atë mysliman që e përfaqësonte Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, Bujar Hasani, atë katolik që e përfaqësonte drejtuesi i Kishës Katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, Don Viktor Sopi, priftin ortodoks Trajko Vlajkoviq dhe përfaqësuesin e komunitetit protestant, Nazmi Berisha nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit dhe Financimit që parasheh mbulimin e shpenzimeve të varrimit në shumën prej 250.00€ e paraparë kjo edhe me vendimin e Kuvendit të Komunës. Përfitues nga kjo marrëveshje do të jenë të gjithë qytetarët ferizajas, përfshirë edhe qytetarët që nuk i përkasin bashkësive fetare.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se me një harmoni të tillë mes institucionit që drejton dhe klerit fetar në Ferizaj, qyteti ynë po dëshmon një raport të shkëlqyeshëm ndërveprimi, me rezultate konkrete për qytetarët ferizajas, siç është çështja që sot mori drejtim, ajo e mbulimit të shpenzimeve të varrimit që lehtëson xhepin e qytetarëve tanë.